Italia kap 535 kg marijuane, pranga dy skafistëve shqiptarë

Shqipëria

Italia kap 535 kg marijuane, pranga dy skafistëve shqiptarë

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 11:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një sasi prej 535 kilogram drogë është sekuestruar nga policia italiane në bordin e një gomoneje. Ne pranga rane dy skafistet shqiptare.

Guardia Di Finanza ka mundur të pikasë gjatë mbrëmjes një gomone në det të hapur dhe është vënë në ndjekje të saj. Në afërsi të Brindizit ata kanë mundur të ndalojnë mjetin lundrues, në bordin e së cilit ishin fshehur plot 535 kg marijuanë. Po ashtu janë arrestuar edhe skafistët, të dy shqiptarë

Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për shtetasit me iniciale  D.G.46-vjeç i dhe  V.S 38-vjeç të dy nga Vlora. Ata do të hetohen për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Sipas raportimit të mediave italiane, nëse sasia e drogës arrinte të hidhej në treg, fitimi do të ishte 5 milion euro.

Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së sotme, ku gjatë patrullimit nga ajri është pikasur gomonia që po iu drejtohej brigjeve italiane. Autoritetet kanë vënë re një ngarkesë të dyshimtë në bord dhe kanë sinjalizuar forcat e Guardia Di Finanza të Barit, të cilët janë vënë në ndjekje. Skafistët shqiptarë kanë shtuar shpejtësinë në momentin që kanë kuptuar që po ndiqeshin, por e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë.

Pasi janë neutralizuar nga policia italiane, në bordin e gomones u gjetën 26 pako me marijuanë.

Pas kapjes së gomones, autoritetet italiane nisën hetimet për të zbuluar më shumë detaje rreth origjinës së drogës, duke bashkëpunuar me Njësinë Kufitare të Guardia Di Finanza të stacionuar në Durrës dhe zyrën ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali.
Operacioni i radhës kundër trafikut të drogës në Kanalin e Otrantos, u finalizua edhe me mbështetjen e mjeteve detare të operacionit “Themis 2018” të Agjencisë 'Frontex' të koordinuar në nivel kombëtar nga Qendra Ndërkombëtare e Koordinimit, të ngritur në komandën operative detare Pratica di Mare në Romë dhe në Puglia.

Mediat italiane thonë se që nga fillimi i vitit 2018 janë konfiskuar 12 anije, me rreth 13 ton marijuanë dhe janë arrestuar 31 kontrabandistë e nga Guardia di Finanza në Puglia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat