A janë shqiptarët të “çmendur” pas akulloreve?!

Shqipëria

A janë shqiptarët të “çmendur” pas akulloreve?!

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 21:09
Ilustrim

Akulloret e prodhuara në vend kanë njohur rritje në vitet e fundit.

Konsumatorët janë më të orientuar drejt prodhimeve të freskëta. Prodhimi i akullores u rrit me 15% në vitin e fundit, ndërsa importet po shënojnë vit pas viti humbje të tregut në Shqipëri.

Prodhimi vendas i akulloreve zë rreth 73% të tregut, ndërsa 27% nga akulloret e importit.
Nga akulloret e lira tradicionale, te recetat sekrete të akulloreve moderne, çfarë po konsumojnë tani shqiptarët.

Si renditemi për konsum në Europë

Pasditen e së dielës, kur të gjithë makinat e plazhistëve të Gjirit të Lalëzit nisen në drejtim të Tiranës, sapo i afrohesh fshatit Armathë, vërehet vargu i gjatë i automjeteve që kanë mbetur në trafik. Edhe pse gjatë rrugës numërohen më shumë se pesë efektivë policie, fatmirësisht nuk ka ndodhur asnjë aksident. Makinat janë vendosur në radhë për të blerë akullore. 

Rreth 24 vite më parë, Pëllumbi kishte një punishte modeste të përpunimit të qumështit në akullore në fshatin Armathë të Durrësit. Sot, biznesi i tij është zgjeruar, dyqani është zhvendosur prej qendrës së fshatit buzë rrugës kryesore të Gjirit të Lalëzit. Në një ditë të zakonshme, ai shet deri në 150 kilogramë akullore, ndërkohë që po planifikon ndërtimin e një godine të re trekatëshe.

Pavarësisht se u ka mundësuar klientëve rreth 2 dynymë tokë për të parkuar në oraret e pikut, asgjë nuk mund të ndihmojë në menaxhimin e turmës.
Ky është një biznes me cikël të mbyllur. Përveç dyqanit të akulloreve, Pëllumbi ka një fermë ku numëron 25 krerë lopë, prej të cilave merr lëndën e parë. I gjithë sekreti, përveç formulës speciale që e kanë vetëm anëtarët e familjes Kurti, është lënda e parë. Në vitin 1995, ai hoqi nga ferma të gjithë bagëtitë që kishte, por pas dy viteve e pa që ishte e pamundur që të operonte.

Pëllumbi tha se në ato vite filloi të humbiste kontrollin ndaj cilësisë, furnitorët nuk i sillnin cilësinë e parë që ai kërkonte për akulloret dhe për këtë arsye, u detyrua të krijonte sërish fermën. Me famën që mori dyqani i tij i vogël i akulloreve dhe ëmbëlsirave, thotë se ka marrë oferta të panumërta, si për të shitur biznesin, ashtu edhe për ta transferuar në kryeqytet. “Kam marrë oferta nga biznesmenë në Zvicër, në Slloveni”, tregon Pëllumbi për “Monitor”.

Akulloret “Made in Albania”, në rritje të vazhdueshme

Prodhimi vendas i akullores po njeh një zgjerim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë flasin për rritje të prodhimit të akullores prej agroindustrisë. Gjatë 2017-s prodhimi i akullores në vend ishte 1,154 tonë, me një rritje prej 15% të prodhimit krahasuar me një vit më parë.

Importet e akulloreve kanë shënuar rënie të vazhdueshme në pesë vitet e fundit, si në vlerë edhe në sasi. Nga viti 2013 deri në 2017, sasia e importuar e akulloreve ka rënë me 83%. Referuar të dhënave të doganës, në 2017-n u importuan nga jashtë 434 tonë akullore, me një vlerë prej 1.4 milionë dollarë.

Pesha e akullores së importuar në 2013-n, sipas të dhënave është 2,587 tonë, me vlerë 8.1 milionë dollarë. Referuar të dhënave mbi importet nga Dogana dhe të dhënave për sasinë e prodhuar në vend, një shqiptar ka konsumuar mesatarisht 0.57 kilogramë gjatë 2017-s.

Vendet kryesore prej të cilave kemi importuar akullore mbeten partnerët tanë kryesorë në tregti, si Italia dhe Greqia. Sipas të dhënave të Doganës, akulloret e importuara nga Italia ishin 301 tonë, me vlerë 900 mijë dollarë dhe vendi i dytë është Greqia, 133 tonë, me një vlerë 571 mijë dollarë.
Mbështetur te të dhënat, 27% e tregut e zënë akulloret e importit dhe 73% janë prodhim vendas.

Konsumi për frymë, ndër më të ulëtit në Europë

Në vitin 2017, shqiptarët kanë konsumuar zyrtarisht 1588 ton akullore (prodhim vendas +import), ose rreth 0.6 kg për frymë. Kjo sasi llogaritet ndër më të ulëtat në Europë.Sipas të dhënave të Statisca.com, rekord për konsum akulloresh në Europë mbajnë vendet nordike, Suedia, Finlanda, Norvegjia me 10-12 kg për frymë në vit. Në shtetet e tjera, konsumi luhatet mes 4-7 kg. Më i ulët është në Bullgari, me 0.9 kg në vit. Në botë kryeson Zelanda e re, me më shumë se 20 kg për frymë në vit dhe pas saj vijnë SHBA-të me rreth 20 kg në vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat