Ligj për dekomunistizimin, Alibeaj: Shënim mbi çdo film dhe libër të para 1990-ës

Shqipëria

Ligj për dekomunistizimin, Alibeaj: Shënim mbi çdo film dhe libër të para 1990-ës

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 17:17
Enkelejd Alibeaj

Prej shtatorit të vitit të kaluar, Partia Demokratike po punon për një ligj të plotë për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Ligji i është dorëzuar për mendim Fondacionit gjerman Conrad Adenuer, ndërsa sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, synim është vendosja e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar diktaturën komuniste, pa përjashtuar asnjë film apo libër, përfshi edhe ata të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë sonë, Ismail Kadare.

Në sesionin e ri, pritet që në Kuvend të dorëzohet një nismë e plotë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.

 Pas gati  një vit punë, Partia Demokratike ka draftuar një ligj të plotë, i cili i është  dorëzuar për mendim Fondacionit gjerman Conrad Adenuer, i cili pas vlerësimit historik do japë ekspertizë juridike për nismën.

Alibeaj: Problemi kryesor është që ky ligj të mundësojë krijimin e një lëvizjë psiko-publike për të ndëshkuar propagandën komuniste dhe përdorimin e simboleve.

Enkelejd Alibeaj, i anagazhuar për hartimin e nismës ligjore, thotë se Partia Demokratike synon të rregullojë me ligj edhe çështjet që kanë të bëjnë me artin e realizmit socialist.

Alibeaj: Biem dakord që arti në një dozë të madhe në atë kohë; libra, filma apo edhe mjete të tjera të propagandës, të kamufluara më elementë artistikë ishin një nga elementët kryesorë të cilët ndikuan në deformimin e formimit artistik apo edhe politik të shoqërisë komuniste në atë kohë. Madje unë besoj që është një nga mjetet më të rrezikshme të cilat deformuan dhe deformojnë edhe sot mënyrën se si do të duhet njerëzit të jenë të qartë për të drejtat e tyre, për lirinë.

Ligji nuk ka për synim të censurojë librat apo filmat e realizmit socialist, por do kërkohet vendosja e një shënimi  për të shpjeguar diktaturën komuniste.

E në këtë pikë nuk përjashtoht asnjë film apo libër, përfshi edhe ata te një prej figurave më të rëndësishme të letersisë sonë, si Ismail Kadare.

Alibeaj: Mjetet që do të duhet të përdorim siç është shoqëria e civilizuar sot, të mos e privojë individin për të marrë informacionin të cilin do, të cilin pëlqen, por duke i dhënë paralelisht në të njëjtën kohë edhe informacionin tjetër atë real, atë të vërtetin, që në fund të fundit për çdo libër, qoftë edhe të Kadaresë, kur ta lexojë të mos dalë i mpirë në arsyetimin e vet për situatën apo për gjendjen që ka qenë por të shohë edhe faqet e tjera të librit të pashkruar të Kadaresë, ato të cilat diktatura nuk ia lejonte të shkruante.

Pavarësisht debatit për këtë çështje, Alibeaj thotë se kjo është një zgjidhje  e drejtë për shoqërinë dhe është aplikuar edhe në vende të tjera ish-komuniste.

Alibeaj: Këto faqe të zeza të pashkruara sepse censuroheshin në atë kohë do të duhet t‘ia japim si informacion sot në mënyrë që edhe libri i Kadaresë të lexohet i plotë, edhe të kuptohet jo thjesht Kadareja por të kuptohet sistemi komunist i asaj kohe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat