“Jam kushëriri nga deti, pastro vendin se do vinë miq”, zbardhen bisedat mes trafikantëve në Tepelenë

Shqipëria

“Jam kushëriri nga deti, pastro vendin se do vinë miq”, zbardhen bisedat mes trafikantëve në Tepelenë

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 07:38
Foto ilustrim

ABC News ka siguruar përgjimet e dosjes gjyqësore ndaj katër personave të akuzuar për kultivim të kanabisit në fshatrat e Tepelenës në vitin 2016, mes të cilëve edhe një punonjës policie. Mes bisedava dalin në dritë kodet e përdorura prej tyre, kur informoheshin për kontrollet policore në parcela.

Një telefonatë në orët e drekës të 14 Nëntorit 2016 i prishi qetësinë Besim Zikës, 48-vjeçarit të dënuar nga Krimet e Rënda për përfshirje në biznesin e kanabisit.

Nga ana tjetër e telefonit, një zë që iu prezantua si “kushëriri nga deti”, i tha të pastronte gjithçka, pasi do të kishte vizitorë.

Kjo është një nga bisedat e përgjuara të Prokurorisë për Krimet e Rënda të servirura në gjykimin e Zikës dhe tre të bashkëpandehurve të tij, mes të cilëve edhe Gani Abazi, ish-shef Rendi i Policisë së Tepelenës.

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes gjyqësore ku zbardhen përgjimet e koduara mes të pandehurve dhe personave të tjerë, që i ndihmonin në kultivimin e kanabisit në fshatin Bylysh të Tepelenës.

E tillë ishte ajo e drekës së 14 Nëntorit 2016, ku Besim Zika u lajmëruar për kontrollin policor.

Besim Zika: “Urdhëro”.

659: “O alo, ça bën o”?

Besim Zika: “Mirë”.

659: “Eee”.

Besim Zika: “Urdhëro”.

659: “Më dëgjon ore”?

Besim Zika: “Të dëgjoj”.

659: “Eee, pastro vendin aty ku je”!

Besim Zika: “Ku o”?

659: “Lart në fshat pastroji të tëra se do të ketë vizitorë sot, më lajmëruan”.

Besim Zika: “Po kush je ti”?

659: “Po lëre kush jam unë, n`daç merre vesh kush jam unë po pastro vendin sa më shpejt”!

Besim Zika: “Po më thoj or kush je or burrë”!

659: “Ai kushuriri nga deti jam”.

Besim Zika: “Aa”?

659: “Kushuriri jot jam ore po pastro vendin se më lajmëruan, kaq”!

Besim Zika: “Ooooo”!

659: “Pastro vendin mirë të tëra ee ! Më dëgjon ore”?

Besim Zika: “Është e vërtetë”?

659: “Eeee, është e vërtetë se nuk tallet njeri, hajt ! Hajt çao”!

Pak minuta më vonë Besim Zika është telefonuar sërish nga i njëjti numër.

Besim Zika: “Urdhëro”.

659: “Më dëgjo edhe një herë me kujdes”!

Besim Zika: “Po”.

659: “Pastro çar ke, magazinë, kantinë, të tëra, asnjë gjë nëpër, te shpia, me qetësi jo ti thuash njeriu tjetër ! Më dëgjove apo jo”?

Besim Zika: “Po unë fola”…

659: “Më dëgjove apo jo oooo o njeri”!

Besim Zika: “Të dëgjova, të dëgjova”.

659: “Më dëgjo mua tani ti se është, nuk të po të, po gënjej, po tallem. Pastro çar ke rreth e rrotull dhe ik vetë andej, mos me rri aty, hajt”!

Besim Zika: “Bëhet fjalë për sot”?

659: “Ore edhe, i thuaj edhe atij kushëririt në krah mos të ketë gjë afër, kaq! Në rregull”?

Besim Zika: “Mirë”.

Besim Zika ka njoftuar me tej edhe të pandehurit e tjerë për ndërhyrjen e policisë.

Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes të nesërmen në 15.11.2016, në vendngjarje janë gjetur copa bimësh narkotike si kërcenj, gjethe, bohçe, etj, si dhe gropat e hapura dhe bimë të shkulura nga toka.

Bazuar në përgjimet, ku kuptohej zhvendosja e drogës, ditën tjetër policia ushtroi kontroll në vendin e quajtur “Kodra” në fshatin Miricë, Memaliaj Tepelenë, ku nëpër shkurre u gjenden të fsheura 42 dëngje me kabanis, 1260 kilogramë në total.

Aktualisht dosja në ngarkim të të pandehurve Besim Zika, Gani Abazi dhe Festim e Pëllumb Rona ndodhet në Apelin për Krimet e Rënda, ku ata kanë kundështuar dënimet me nga 8 dhe 9 vite burg të dhëna nga Shkalla e Parë për akuzat e “kultivimit të lëndëe narkotike”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat