Në shkollë me çantën plot, nisma për të ndihmuar fëmijët në vështirësi

Shqipëria

Në shkollë me çantën plot, nisma për të ndihmuar fëmijët në vështirësi

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 15:49
Mirela

Mirela është nisur drejt librarisë te Qendra Stefan, pranë Pazarit të ri, duke u bërë kështu një nga dhurueset e para të nismës “Në shkollë sot, me çantën plot”, me dëshirën për të plotësuar atë që i mungon fëmijëve.

“Unë jam një mama vetë, me 3 fëmijë dhe sa herë që vjen sezoni, fillimi i shkollës, e di që është një situatë që t’i do të blesh shumë gjëra, se fëmijët e tu duan shumë të tilla, por në fakt ka shumë raste që nuk janë të gjitha mundësitë që t’ua plotësosh të gjitha dëshirat dhe nevojat. Duke parë veten time, mendoj se shumë familje janë me mundësi edhe më të pakta, që e kanë të pamundur t’ua plotësojnë të gjitha dëshirat fëmijëve. Kështu që me pak ndihmë, mund të kontribuoj që të gëzoj ditën e parë të shkollës, të paktën një fëmijë”, shprehet Mirela Zefi.

Besmiri, na tregon se kujtimet e fëmijërisë kanë qenë një nga ngacmuesit për realizimin e kësaj nisme. Së bashku me kolegët e tij në Radio 7, do të grumbullojnë mjete shkollore deri në datën 15 shtator për fëmijët që ngurrojnë të shkojnë në shkollë.

“Mendova pak për ditën time të parë të shkollës, ato emocionet e para, ke atë entuziazmin që do të shkosh me një gjë të re në shkollë, por po mendoja pastaj krahun tjetër, që ka edhe fëmijë që nuk i kanë këto mundësi, edhe nuk mund të gëzojnë kështu sepse se kanë të plotë çantën e tyre. Thamë çfarë mund të bëjmë për fëmijët në nevojë? Ideja është të grumbullojmë mjete shkollore, çanta, libra, fletore, të gjitha mjete e nevojshme që i duhen një fëmije për të nisur vitin shkollor, në mënyrë që ai të shkojë me gëzim dhe të mos ngurrojë për të shkuar pasi nuk i ka të gjitha mundësitë për të ndjekur shkollën”, tregon nismëtari i këtij projekti.

Ai na tregon se ka është menduar edhe mënyra se si do të bëhet shpërndarja e këtyre ndihmave dhe si do të identifikohen familjet në nevojë.

“Kjo ishte dhe dilema jonë më e madhe, ku do të shkojnë këto kontribut. Ne jemi duke bashkëpunuar me organizata të cilat punojnë me komunitetet në nevojë, kështu që do të jenë kryesisht në periferi të Tiranës”, shprehet Besmiri.

Bashkë me Mirelën, ju ftojmë të gjithë ju që mendoni se mund të bëni një fëmijë të lumtur, të shkoni të kontribuoni në librarinë te Qendra Stefan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat