Rikthehet debati për Teatrin, Ruçi mbledh sot Parlamentin. Ç’pritet të ndodhë në seancë - Bota Sot
Rikthehet debati për Teatrin, Ruçi mbledh sot Parlamentin. Ç’pritet të ndodhë në seancë

Shqipëria

Rikthehet debati për Teatrin, Ruçi mbledh sot Parlamentin. Ç’pritet të ndodhë në seancë

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 09:11
Ruçi

Deputetët e maxhorancës dhe opozitës u kanë dhënë fund pushimeve dhe do të nisin sot në orën 17:00 sesionin e ri parlamentar. Akuzat dhe debatet në distancë që kanë shoqëruar dy kampet kryesore gjatë verës do të ndizen akoma më shumë në komisionet parlamentare dhe seancat plenare.

Rendi i seancës së sotme përfshin votimin e asnjë projektligji, veç kalendarit të punimeve trejavore të Kuvendit. Por, pavarësisht kësaj, PS dhe PD kanë thirrur grupet parlamentare dhe aleatët në takime të veçanta për të koordinuar aksionin parlamentar.

Partia Socialiste pritet të mbledhë kryesinë e saj në orën 09:00, ku, krahas vendosjes së prioriteteve për këtë sesion parlamentar, do të diskutohet edhe rendi i ditës për Asamblenë që do të mbahet të premten e 6 shtatorit.

Në Asamblenë e PS do të diskutohet edhe performanca e qeverisë, ku Kryeministri do të shprehet përfundimisht nëse do t’u japë apo jo besim sërish ministrave të kabinetit të tij. Edhe opozita do të zhvillojë takime në radhët e saj përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka parashikuar të zhvillojë një mbledhje të grupit parlamentar dhe një takim me aleatët e tij. Në sesionin që lamë pas, opozita vendosi një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin ku merrte pjesë vetëm në seancat plenare dhe komisionet, ku diskutohej çështja e Teatrit të ri. Do të jetë takimi që Basha do të zhvillojë me grupin parlamentar, ai që do të përcaktojë edhe sjelljen e re të demokratëve në raport me Parlamentin.

PËRPLASJET

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, do të mbledhë sot në orën 12:00 Konferencën e Kryetarëve, ku do të paraqesë edhe kalendarin trejavor të punimeve të Parlamentit. Çështja më delikate, ajo e dekretit të Presidentit Ilir Meta për projektligjin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, është përcaktuar të shqyrtohet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese javën e ardhshme dhe do të votohet në seancën e datës 13 shtator.

Kreu i PD, Lulzim Basha, e paralajmëroi kreun e qeverisë, Edi Rama, ta tërheqë dhe të mos e sjellë në Kuvend projektligjin për Teatrin, duke e cilësuar edhe si vijë të kuqe. Por pavarësisht kësaj, PS ka premtuar se do të miratojë brenda muajit shtator ligjin e posaçëm për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, për t’u hapur rrugë negociatave me kompaninë private dhe më pas fillimit të punimeve. Në të njëjtën seancë kur shumica do të rrëzojë dekretin e Metës për teatrin, pritet të rrëzojë edhe dekretin tjetër për tatimin mbi të ardhurat.

KALENDARI 3-JAVOR I PARLAMENTIT

Akt normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”

Dekreti i Presidentit të Republikës, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”

Dekreti i Presidentit të Republikës, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”

Projektvendim/ Kërkesë “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”

Projektvendim/Kërkesë “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë”

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”,

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...