Shtëpisë i del pronari, dy motrat jetojnë në tendë në mes të Tiranës

Shqipëria

Shtëpisë i del pronari, dy motrat jetojnë në tendë në mes të Tiranës

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 14:52
Miranda dhe Flora Ademi.

Një tendë e sajuar me plastmas e llamarinë pas shkollës ‘Servete Maçi’ në Tiranë, është ngushëllimi i vetëm për dy motra beqare, Miranda dhe Flora Ademi.

Për të larë sytë në mëngjes shërben kjo govatë me ujë, ndërsa për nevojat personale u falen komshinjve ose lokalit që kanë pranë.

“Jam këtu që më 31 korrik, dhe asnjeri s’ka ardhur një herë të pyesë. Nga shteti, nga kjo qeveri, që të thotë çfarë krimi keni bërë që jetoni këtu. Falje nëse flas kështu, falje publikut të gjithëve, se më dhemb shpirti. Më dhemb shpirti. Kaq di të them”.

 Sa vite kishit që jetonit në atë shtëpi?

“40 vite, që në ’78. Kam ardh fëmi 10 vjeç, sot jam 50 vjeç. Para një viti e gjysëm kemi humbur edhe nënën. Jemi të dyja beqare. Kemi punuar gjithë jetën me drejtësi, nuk i kemi marrë borxh kurrë njeriu. Edhe me shtetin kemi qenë gjithë jetën në rregull. Kjo është një padrejtësi. Të vuash në mes të Tiranës, dhe askush mos të interesohet..”

Mes lotësh dy motrat Ademi tregojnë sesi pronarit të vërtetë të shtëpisë i kishin paguar në vitin 2000 një shumë prej 6.2 milion lekë të vjetra si kapar, gjithçka e firmosur para noterit, dhe ishte rënë dakord me të që objekti të blihej me këste në vlerën 25 milion të vjetra. Por pas kësaj, pronari s’ishte bërë më i gjallë, deri në korrik të këtij viti, kur në derën e tyre është paraqitur komshiu, i cili u ka kërkuar të boshatisin banesën me pretendimin se e kish blerë si pronë.

“Në 95, i del pronarja dhe e shet shtëpinë tonë me njerëz brenda, ndërkohë që ka marr kapar edhe nga ana jonë. 6 mln e gjysmë një herë, 6.2 një herë dhe 500 euro më pas. Se aq i kishim mundësitë dhe për më mbrapa do mblidheshim do bënim çmos do i gjenim. E kam marr me autorizim shtetëror, me autorizim banesash e kam paguar qeranë muaj për muaj. Ajo ma kaloi në shitje. Bëmë kontrata kapari, dhamë 7 mln lekë dhe më pas ajo u zhduk fare”.

Kaq ka mjaftuar që mes dy familjeve që kishin jetuar në miqësi pranë njëratjetrës të nis konflikti, pasi familja Ademi i ka kërkuar pronarit të ri aktin e noterizuar të pronësisë, ose tapinë e shtëpisë, dokument që në asnjë rast thotë se nuk i është vënë në dispozicion, madje as ditën kur dhjetra policë të rendit dhe bashkiak bashkë me IKMT rrethuan shtëpinë, duke u kërkuar 10 anëtarëve të kësaj familje të largonin plaçkat në një kohë që brenda banesës ndodhej nipi i sëmurë paraplegjik.

“Kemi patur edhe gjëra me vlerë brenda. Kanë bërë sikur kanë nxjerrë raftet dhe pastaj gjërat e nënës tonë.. më ranë të fikët, erdhi ambulanca, i thash vëllai Beni, motra jote po vdes”.

Dy gratë thonë se kërkojnë vetëm drejtësi, dhe se nuk duan të marrin pronën e askujt, por se pretendojnë se prona po u vidhet pa asnjë dokument. Këtë shqetësim thonë se ia kanë përcjellë të gjitha strukturave të shtetit, madje edhe drejtpërdrejt kryeministrit përmes portalit qeveritar, por pa përgjigje.

 “Nuk dimë ç’të bëjmë. Motra është ankuar. I kemi drejtuar në portale, asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Kërkoj drejtësi edhe nga shteti.. Na hapin komshinjtë derën për në tualet. Turp kush e dëgjon!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat