Frikë nga sulme të mundshme, agjentë sekretë për Shqipëri - Izrael

Shqipëria

Frikë nga sulme të mundshme, agjentë sekretë për Shqipëri - Izrael

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 13:23
Stadiumi “Elbasan Arena”

Prej disa ditësh stadiumi “Elbasan Arena” ka bërë ndarjet e vendkalimeve të stafeve dhe skuadrave për ditën e premte kur do të zhvillohet ndeshja e Ligës së Kombeve mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Agjentët e sigurisë të Izraelit kanë mbi një javë që vizitojnë stadiumin dhe kontrollojnë çdo hyrje dhe dalje të tij për të marrë masat e tyre, ndërkohë që mbledhjet me subjekt kryesor sigurinë janë të përditshme, me agjent të sigurisë, agjent sekret, përfaqësues të policisë së shtetit dhe të policisë private.

Kjo do të jetë ndeshja e parë ndërkombëtare që do të luhet edhe pa policinë e shtetit në brendinë e stadiumit. Rreth 1500 forca policie gjithsesi do të jenë në gatishmëri dhe do të kryejnë rrethimet e sigurisë jashtë tij nga ku do të bëhen edhe kontrollet fizike, ndërkohë që mes tyre janë edhe forcat speciale apo agjencitë e ndryshme të inteligjencës të cilat prej gati 2 muajsh qëndrojnë në Elbasan.

Rreth 300 forca të policisë private, apo stjuard siç njihen ndryshe do të jenë në ndeshje, gjithçka në varësi të biletave të shitura, që deri në këto momente janë rreth 2000 të tilla të shitura, por që numri dhe interesi si gjithmonë rritet sa më shumë afrohet dita dhe ora e ndeshjes. Gjithçka sa i përket biletave do të jetë e identifikuar pasi ato shiten me kartë identifikimi, një kërkesë e rreptë këtë herë pasi kërkohen të identifikohen të gjithë personat që do të jenë në stadium atë ndeshjes, sidomos pjesa e tribunës pas pankinës së skuadrës mike.

Zona rreth stadiumit do të bllokohet 24 orë përpara dhe do të mbahet në atë gjendje deri në përfundimin e ndeshjes, ndërkohë që askush nuk do të ketë mundësi të afrohet tek stadiumi pa qenë i pajisur me biletë, ajo do të kontrollohet nga kordonat e policisë që do te vendosen larg stadiumit.

Ndeshja Shqipëri-Izrael e vitit 2016 pati dyshime të mëdha për planifikimin e një sulmi terrorist, për të cilin u arrestuan 4 persona në Shkodër. Ishin këto informacione që ndryshuan edhe iternerarin e ndeshjes. Nga “Loro Boriçi” u vendos të luhet në “Elbasan Arena” për këto arsye sigurie dhe ishin pikërisht këto masa që sollën një kaos, nga tifozeria që u largua pas mënyrës së sjelljes së policisë në atë ndeshje dhe deri tek skuadra që e çorientuar humbu me shifrat 3-0.

Megjithatë edhe e premtja e kësaj jave do të jetë disi e nxehtë sa i përket sigurisë, masat që po merren janë të niveleve më të larta, sepse jo gjithçka mbetet vetëm në kuadrin e një ndeshjeje futbolli. Këtë gjë e përforcon edhe paralajmërimi i Departamentit të Shtetit Amerikan i cili paralajmëron qytetarët amerikan që ndodhen në Shqipëri të bëjnë kujdes në qëndrimet e tyre pranë stadiumit në Elbasan para gjatë edhe pas ndeshjes.

Gjithsesi në këtë njoftim thuhet se nuk ka ndonjë indicje specifike apo kërcënim, por thjesht masa sigurie për t’u patur parasysh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat