Vetting për politikën: Një pakt i ri PD-PS?

Shqipëria

Vetting për politikën: Një pakt i ri PD-PS?

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 09:23
Foto ilustrim

Kryedemokrati Lulzim Basha propozon vettingun në politikë, duke e parashtruar si një nga katër pikat kryesore të platformës opozitare. Rama: Sa më parë! Gjithnjë gati të diskutojmë me PD. Palët reagojnë pozitivisht dhe pritet që PD dhe opozita e bashkuar të parashtrojnë nisma ligjore për vettingun në politikë, të ngjashëm me atë të drejtësisë. Dakordësi në kulmin e tensionit…

Hendeku i ndarjes mes pozitës dhe opozitës është i madh, por dje në kulmin e përplasjeve, patën një pikëtakim për sa i përket propozimit të kryedemokratit Lulzim Basha për një vetting në politikë. Kryetari i PD-së Lulzim Basha shpalli katër objektivat e platformës për atë që e konsideron si “çlirimin e qeverisë nga krimi”. Risia kryesore e platformës që po diskutohet në grupin parlamentar të opozitës është vettingu për politikanët, njësoj si për gjyqtarët, prokurorët apo edhe strukturat e Policisë së Shtetit. “Dekriminalizimi i plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin; Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin; Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin; Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve”-parashtroi platformën me katër pika Lulzim Basha. “Vendimi ynë është t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në radhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur” – tha Basha. Partia Demokratike pritet të depozitojë pas dy ditësh në Kuvend disa amendamente kushtetuese, që mundësojnë zbatimin e vettingun edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë. Ndërkohë, aktet nënligjore të vettingut në sistemin e drejtësisë, dje u shtynë për shkak se kërkohet 3/5 e votave dhe opozita për të dytën seancë radhazi ka bojkotuar Parlamentin. Duket sikur situata mund të ndryshojë pas deklaratës së kryedemokratit Basha që erdhi nga qyteti i Elbasanit ku opozita u zhvendos bashkë me deputetët e saj, pasi për ta konsiderohet një qytet i pushtuar nga bandat e lidhura me elementë të Partisë Socialiste. Nuk ka zgjatur shumë dhe menjëherë pas artikulimit nga kryedemokrati Lulzim Basha erdhi edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. “Veting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes Vetingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtêsisë. Dhe çdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve është e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”, shkruan Rama.

Marrëveshje e re PD-PS?

Ndonëse mund të ngjajnë si deklarata politike mes të dyja palëve, ideja e një vettingu edhe në politikë nuk është risi, pasi përciptas është hedhur edhe më parë, por pa u kthyer në një propozim serioz. Opozita, në kuadër të ristrukturimit të saj dhe një aksioni të përbashkët, ka hedhur për konsum politik dhe jo vetëm idenë që tani është koha e një vettingu në politikë. Nëse deklaratat e dy liderëve Basha dhe Rama do të merreshin si të mirëqena, atëherë duket se jemi në zanafillën e një marrëveshje të re PD-PS. Në kulmin e konfliktualitetit mes pozitës dhe opozitës, më shumë se akti ligjor që mund të çonte drejt një vettingu në politikë do të ishte gjesti mes palëve dhe përmirësimi i imazhit edhe në arenën ndërkombëtare. Tre vjet më parë PD ndërmori nismën dhe e ngriti kauzën e dekriminalizimit, ku mundi që ta kalonte në ligj, çka solli shkarkimin dhe largimin e disa deputetëve, kryebashkiakëve, apo edhe anëtarëve të këshillave bashkiak, të cilët u vërtetua se kishin pasur të shkuar kriminale. Nisma e re mund të kërkojë më shumë detaje në lidhje me mënyrën si do të funksionojë, pasi nevojiten akte ligjore, e njëkohësisht edhe institucione të cilët mund të bëjnë “vetëpastrimin” e politikës, nëpërmjet vettingut.

Reagimet pro propozimit

Ndonëse pak orë kaluan nga momenti i deklaratës së Bashës dhe më pas mbështetjes nga ana e Ramës, personazhet e politikës nuk kanë ngurruar që të shprehen në favor të propozimit. Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas postimit në Facebook të Edmond Spahos, i cili deklaronte se “refuzimi i Edi Ramës për vetting-un me ligj të politikanëve provoi se Rama është peng i krimit”. I menjëhershëm ishte reagimi i homologut të tij Taulant Balla, që pa lënë pas notat ironizuese, zbuloi edhe një “fakt” tjetër, që Rama e kishte ngarkuar Ballën që të niste kontaktet për propozimin e PD-së. “I dashur Mondi. Lexova reagimin tënd ku akuzoje Ramën që ka refuzuar këtë të Veting-ut! U habita e desha të pyes njëherë se mos është lajm i rremë, se Rama e tha qartë që jemi shumë dakord. Madje, ai më ngarkoi mua të komunikoj nesër me ty për të mësuar më shumë mbi idenë që keni për këtë nismën e Vetting-ut të politikanëve. Sepse nga teksti nuk kuptohej asgjë konkrete si e ka idenë Luli, madje më shumë dukej si tekst kundër reformës në drejtësi se sa për thellimin e Vetting-ut. Ne nga ana jonë jemi gati dhe jam në dispozicion”, u shpreh Balla. Propozimi i Bashës në një situatë të tillë i shtoi kredo politike, aq sa edhe kundërshtarët e tij brenda PD-së mirëpritën nismën. “Edhe pse më ndan gati një oqean prej tij, sot unë jam me Lulin, që sa më shpejt të ketë vetting edhe për politikanet. Mund ta kishim kërkuar edhe më shpejt, atëherë, kur diskutohej reforma në drejtësi. Edhe faturën e lartë të penguesit, që e morëm (me të drejtë apo pa të drejtë) mund ta kishim shmangur, por edhe Edi Ramës do t’ia kishim djegur kartat në dorë”-shkruan ish-Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi. Megjithëse është skeptik për mënyrën si palët po e trajtojnë, përsëri e mirëpret aksionin opozitar në lidhje me vettingun në politikë. “Sipas meje, tani, të paktën formalisht kjo reformë e re, apo thellim i reformës në drejtësi, duket sikur nuk ka asnjë kundërshtar të rëndësishëm. Është një situatë paksa komike, në fakt, pasi ngjan sikur nga vetting-u duhet të kenë frikë vetëm pensionistët dhe qytetarët e varfër, që marrin asistencë sociale, dhe jo ata që i kanë bërë gjëmën këtij vendi”, shkruan më tej Patozi.

Platforma e opozitës në katër pika:

1 – Dekriminalizimi i plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.

2 – Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin.

3 – Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin.

4 – Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat