Skafi me 1.7 ton drogë drejt Italisë, zbulohen detaje të reja

Shqipëria

Skafi me 1.7 ton drogë drejt Italisë, zbulohen detaje të reja

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 17:20
Droga e sekuestruar

Pas sekuestrimit të gomones me rreth 1.700 kg marijuanë në brigjet italiane, dhe arrestimit të dy shtetasve shqiptarë, janë pulbikuar detaje të reja rreth aksionit. Sipas “Guardia di Finanzia-s”, operacioni i sekuestrimit të gomones me drogë është ekzekutuar nga reparti ajor detar i financës italiane të rajonit të Puglias, Molisses e Abruzzos me mbështetjen e mjeteve ajrore të operacionit “Themis 2018” të asgjësisë europiane Frontex, dhe nën drejtimin e Drejtorisë Operative të Financës italiane në Pratica di Mare të Romës.

Mësohet se gjatë natës, rojet bregdetare italiane në provincën e Foxhias kanë pikasur në ujërat ndërkombëtar një gomone që lundronte me shpejtësi të madhe drejt brigjeve italiane. Në bordin e mjetit ishin të dukshme pakot me ngarkesë të dyshimtë.

Sakaq, mjetet lundruese të forcave italiane janë vënë në ndjekje të gomones, por skafistët nuk i janë përgjigjur urdhrit të ndalimit, por janë përpjekur të largohen duke shtuar shpejtësinë, dhe duke hedhur në ujë disa prej pakove që kishin në bord.

Pas një ndjekje të shkurtër, është bërë i mundur ndalimi i gomones në ujërat pranë provincës së Foxhias.

Sakaq, policia italiane ka sekuestruar gomomen 10 metra të gjatë e me dy motorë të fuqishëm, në bordin e së cilës u gjetën 104 pako të madhësive të ndryshme me rreth 1 718 kg marijuanë. Në pranga janë vënë dy skafistët shqiptarë, ndërsa policia shqiptare zbuloi se të arrestuarit janë të identifikuar me inicialet A.L. 38 vjeç dhe A.A 36 vjeç.

Sipas “Guardia di Finanzia-s”, kjo sasi droge, nëse shitej në treg me doza të vogla do të gjeneronte rreth 15 milionë euro.

Policia italiane informon se prej fillimit të vitit 2018 e deri më sot vetëm në rajonin e Puglias janë sekuestruar 15 mjete lundruese me drogë, janë arrestuar 37 skafistë dhe janë sekuestruar 16 tonë marijuanë.

Por sipas policisë shqiptare, nisur nga hetimet e deritanishme nga policitë e vendeve partnere, mjeti lundrues nuk është nisur nga brigjet shqiptare, ndërkohë në njoftimin e GF nuk përcaktohet pikënisja.

Megjithatë Policia e Shtetit po vijon shkëmbimin e informacionit me agjencitë partnere për të hetuar mbi lidhjet e të ndaluarve si persona të përfshië në këtë veprimtari kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat