Përfundon rruga Pogradec-Qafe Plloçë, 1.4 mln euro investim

Shqipëria

Përfundon rruga Pogradec-Qafe Plloçë, 1.4 mln euro investim

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 20:43
Rruga Pogradec-Qafe Plloçë

Pas segmentit Lin –Pogradec një tjetër rrugë në këtë zonë ka ndryshuar pamje. Bëhet fjalë për atë nga Pogradeci në Qafë Plloçë, e cila ka përfunduar së rikonstruktuari.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro dhe deputetin Eduard Shalsi inspektuan përfundimin e investimit për rehabilitimin e plotë të Unazës së Pogradecit dhe aksit që lidh qytetin deri në krye të Qafës së Plloçës.

Investimi i kryer nga Autoriteti Rrugor Shqiptar arrin në vlerën e 1.4 milion euro dhe përfshin një segment me gjatësi totale prej 5.5 kilometrash. Në unazën e qytetit që përkon dhe me rrugën nacionale janë kryer punime të plota nënshtresash rrugore dhe asfaltike, kunetat dhe kanalet nëntokësore të kullimit të ujërave të shiut, riparime në trotuare dhe sinjalistikë e siguri rrugore me të gjitha elementët. Ndërkaq, në aksin nga dalja e Pogradecit deri në krye të Qafës së Plloçës është investuar për punimet e tapetit asfaltik, punime në kanalet e kullimit të ujërave të shiut dhe elementët e plotë të sigurisë rrugore.

“Ka përfunduar 5.5 kilometra rehabilitim nga të cilat 2.1 kilometra janë brenda qytetit të Pogradecit, pjesë e aksit kombëtar. Ka qenë një rrugë në gjendje shumë të keqe, është përmirësuar dhe rehabilituar plotësisht. Për herë të parë pas 25 vitesh mbyllet edhe halli i madh i Qafë Plloçës, në një gjatësi prej 3.5 kilometra që tanimë është me të gjitha elementët, me paketën asfaltike dhe sidomos me sistemin e kullimit të ujërave”, u shpreh drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro. Ai më tej, gjeti rastin të falenderojë edhe kryetarin e Bashkisë së Pogradecit për ndihmën që i ka dhënë këtij projekti por edhe Policinë Rrugore.

Ministri Gjiknuri tha se pas përfundimit të rrugës piktoreske Lin-Pogradec, tanimë vjen një tjetër vepër e rëndësishme.

“Jemi në harmoni me programin e plotë të infrastrukturës kombëtare, ajo vëmendje e qeverisë që do të shtrihet në dy drejtime. Së pari, përmirësim i gjithë rrjetit ekzistues dhe kjo ndërhyrje është pjesë e këtij programi. Gjithë rrjeti ekzistues rrugor do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë në mirëmbajtje. Së dyti, investime në segmente të reja rrugore gjë që po ndodh dhe janë hapur disa kantiere të reja. Do të përfundojmë edhe ato të nisura dhe jemi të bindur se brenda këtij katër vjeçari siç kemi marrë angazhimin, infrastruktura kombëtare do jetë e plotë dhe e sigurtë”, nënvizoi Gjiknuri.

Në vlerësimin e deputetit Shalsi falenderoi qeverinë për ndërhyrjen e kryer në infrastrukturën e Pogradecit. “Brenda një kohe të shkurtër kemi rrugën Lin-Pogradec, kemi unazën e përfunduar me një ndërhyrje të plotë. Kemi hapur një kapitull të ri për Pogradecin dhe jam shumë i kënaqur jo thjesht e vetëm me shpejtësinë e punimeve pogradecarët kanë patur mundësi të shohin dhe cilësinë. Kjo qeveri po dëshmon se është e aftë dhe me një vision të ri për të ndërtuar rrugë sipas standardeve moderne”, theksoi Shalsi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat