Kryemadhi: Në kanabizimin e vendit kanë gisht dhe ndërkombëtarët

Shqipëria

Kryemadhi: Në kanabizimin e vendit kanë gisht dhe ndërkombëtarët

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 22:26
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shprehur se ka disa ndërkombëtarë që kanë qenë në njëfarë mënyre të përfshirë në skemën e kanabizimit të Shqipërisë.

E ftuar në emisionin Fakt në Syri.net, Kryemadhi u shpreh se është pro idesë së ngritjes së një komisioni hetimor i cili duhet t’i shkojë deri në fund procesit të kanabizimit të vendit, që sipas saj është dirigjuar nga kryeministri, që në kohën kur forcat policore goditën fshatin e Lazaratit.

“Ne kemi pasur dikur një fshat që quhet Lazarat, që cilësohej për çështjen e kanabizimit dhe shihnim që paratë e Lazaratit shtriheshin deri në qytetin e Fierit. Me politikën e ‘Policisë që duam’, e cila u përkrah edhe nga ndërkombëtarët, gjë që ngjalli edhe shumë dyshime dhe do të ishte shumë mirë që në një moment që do të kishim një sistem drejtësie të pavarur, të drejtë, një parlament të pakapur, një klasë politike të përgjegjshme, pavarësisht pozicionimeve dhe ideologjive politike, do ishte shumë e rëndësishme hapja e një Komisioni Hetimor për të investiguar edhe ndërkombëtarët dhe rolin e tyre në këtë gjë. 

Sepse prishja e Lazaratit e ktheu të gjithë Shqipërinë në një Lazarat të tërë. Por, po ta kapësh në logjikën financiare i bie që shqiptarët duhet të ishin të pasur. Jo vetëm shqiptarët nuk janë të pasur, por shqiptarët u varfëruar shumë më shumë. 

Domethënë këto paratë ku shkuan? Ose kanë vajtur në xhepat e Edi Ramës dhe 5 trafikantëve të tij, ose kanë vajtur në xhepat e ndërkombëtarëve, sepse Edi Rama thotë unë s`kam”, tha Kryemadhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat