Kuvendi voton sot me urgjencë ligjin për shembjen e Teatrit

Shqipëria

Kuvendi voton sot me urgjencë ligjin për shembjen e Teatrit

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 08:03
Kuvendi i Shqipërisë

Kryetari i grupit të PD-së Edmond Spaho dhe ai LSI-së, Petrit Vasili, i kanë dërguar dje një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku i kërkojnë që të mos pranojë sot, në seancë plenare, që të miratohen ndryshimet në ligjin për Teatrin Kombëtar. Në letrën e nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, thuhet se: “Ndryshimet e propozuara në mënyrë antikushtetuese nga mazhoranca, nuk eliminojnë në vetvete asnjë nga konstatimet e drejta dhe kushtetuese të bëra nga Presidenti i Republikës. Reflektimi i konstatimeve kushtetuese të Presidentit Meta mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrëzimit tërësor të ligjit”. Në letër thuhet gjithashtu se, Kuvendi mundet dhe duhet të votojë vetëm pro dekretit të Presidentit. Spaho dhe Vasili i kërkojnë Ruçit që t’ia kthejë ligjin mbrapsht qeverisë dhe të “tërheqë vëmendjen për propozimin antikushtetues që ka bërë dhe për propozimin e një iniciative korruptive dhe klienteliste, duke tentuar të fshehë paligjshmërinë pas votimit të deputetëve të Kuvendit”. Opozita e konsideron të paprecedentë në përmbajtje dhe në qëllim ligjin që synon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke nënvizuar se është “një akt i qartë korruptiv dhe kriminal, i cili asgjëson Kushtetutën dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike”.

Kërkesa

PD dhe LSI e cilësojnë shkelje procedurën parlamentare që ndoqi shumica për të amenduar dekretin. Sipas tyre me votimin pro të dekretit të Metës ligji ra dhe për të miratuar një ligj të ri, procedura duhet që të fillojë nga e para, pra nisma të dorëzohet nga një grup deputetësh, të futet në kalendar dhe më pas të kalojë në komisione për shqyrtim dhe në fund në parlament, shkruan shekulli. Një praktikë e tillë, sipas opozitës nuk i heq të drejtën Presidentit për të vendosur veton mbi ligjin, pasi me procedurën që po ndiqet aktualisht i hiqet. Por kjo nuk është hera e parë që amendohet një dekret. Ka disa raste kur ka ndodhur që është pranuar dekreti i Presidentit të Republikës dhe janë bërë ndryshime në ligj. Socialistët do të votojnë nesër ligjin e ri për Teatrin Kombëtar i cili ju jep të drejtë edhe kompanive të tjera të marrin pjesë në garë.

“Gara” për teatrin e ri

Mazhoranca praktikisht do të vazhdojë me një tender farsë për të bërë projektin e teatrit të Ri. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Komisionit të Veprimtarive prodhuese Eduard Shalsi. PS kërkon garë të hapur për ndërtimin e teatrit, një nga pikat më të kontestuara të opozitës, shoqërisë civile të reflektuar edhe në dekretin e presidentit Meta për rikthimin e ligjit në kuvend. Gjithashtu, në ligj parashikohet të ngrihet një komision i negocimit të kontratës për teatrin e ri që do të bëjë edhe thirrje të hapur palëve që janë të interesuar të paraqesin propozimin për teatrin e ri. Gara sipas projektligjit, quhet e hapur me një ‘Thirrje” që është ftesa e hartuar nga komisioni i negocimit për palët private që janë të interesuar për të paraqitur një propozim për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Çfarë dot bëjë opozita sot?

Në këto kushte, kur mazhoranca e ka futur në rendin e ditës këtë projektligj, Basha i njoftoi deputetët me telefon se nuk do të merrnin pjesë në seancë plenare, por do të zhvendoseshin në Vlorë për mbledhjen paralele të Kuvendit duke vijuar bojkotin. Ndërkaq, intelektualë dhe artistë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha. Takimi është zhvilluar pasditen e djeshme, në ambientet e selisë së PD. Në qendër të diskutimit ka qenë ligji për teatrin, i cili pritet që të diskutohet në Parlament.

Koordinimi Rama-Ruçi

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e djeshme një takim me kryeparlamentarin, Gramoz Ruçi në Kryesinë e Kuvendit. Në fokus të këtij takimi ishte dekreti i kreut të shtetit për Teatrin Kombëtar. Kreu i qeverisë shoqërohej edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj si dhe relatori i ligjit për Teatrin, deputeti i PS, Ilir Beqaj. Mes të pranishmëve ishte edhe Vali Bizhga, drejtoreshë e Kabinetit të Kryeministrit si dhe Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ky i fundit është person kyç në projektin e qeverisë për Teatrin. Kujtojmë se Komsioni Evropian ka mbajtur korrespondencë ne Agaçin për vlerësimin e projektligjin, nëse ky ishte në përputhje me standardet evropiane dhe marrëveshjen e Shqipërisë me BE-në e njohur si MSA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat