U dënua me 5 vite burg, Apeli shpall të pafajshëm Artur Zoton

Shqipëria

U dënua me 5 vite burg, Apeli shpall të pafajshëm Artur Zoton

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 09:11
Artur Zoto

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto ka fituar pafajësinë, pas akuzave për korrupsion në tenderët e burgjeve. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda mesditën e djeshme ka shpallur të pafajshëm ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, i cili qëndronte në qeli prej shkurtit të vitit 2017, ndërsa ishte dënuar 5 vjet burg nga Shkalla e Parë në 11 maj 2018 për akuzën e “Korrupsionit”. Por Apeli hodhi poshtë akuzat ndaj Zotos, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm. Apeli i kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, gjatë shpalljes së vendimit përfundimtarë për ish drejtorin e burgjeve është shprehur, se nuk rezultonte e provuar që Zoto të ketë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohej. Zoto nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së vendimit, ku përfaqësohej nga avokati Ardian Leka. Por në sallën e gjyqit, ndodheshin familjarë e miq të ish-drejtorit të burgjeve. Fjala përfundimtare e gjykatës u prit me duartrokitje e brohoritma prej tyre. Ndërkohë, që ish-kreu i burgjeve fitoi betejën me drejtësinë pas afro 2 viteve qëndrimi në qeli, pas shpalljes së vendimit nga Apeli i Krimeve të Rënda rreth orës 17:30, ka lënë qelitë e burgut të Vaqarit.

Akuzat

Ai u akuzua nga prokuroria se kishte marrë një ryshfet prej 20 milionë lekësh dhe për këtë, prova e vetme ishte dëshmia e ish-zëvendës drejtorit të Burgjeve, Iljaz Labit. Sipas organit të akuzës, Zoto kishte paracaktuar fituesin e tenderëve për furnizimin e burgjeve me ushqime. Ndërsa Labi, i cili u quajt bashkëpunëtorë i prokurorisë, pretendonte se i kishte dorëzuar eprorit të tij për tenderin ushqimorë shumën prej 20 milion lekë. Por këto pretendime ranë ndesh me provat shkresore, të cilat nuk vërteton asnjë nga thëniet e Iliaz Labit, shkruan shekulli. Gjatë gjithë procesit, ish-drejtori i Burgjeve Artur Zoto, ka mohuar akuzat, duke u shprehur se nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie me Iljaz Labin, madje në sallën e gjyqit kanë dëshmuar edhe shumë punonjës të tjerë në drejtorinë e burgjeve që kanë treguar për marrëdhënien e ftohtë të tyre. Por pavarësisht këtyre rezultateve, sipas prokurores së çështjes, tashmë drejtuese e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeri, Iljaz Labi, në bashkëpunim me ishdrejtorin e Përgjithshëm, Artur Zoto, kishin dhënë tenderë pa shpallje publike dhe sipas saj, kjo vërtetohej nga dëshmia e Labit dhe provat e tjera që ishin në harmoni me njëratjetrën. Sipas organit të akuzës, Labi dhe Zoto, kanë qenë në dijeni të marrëveshjes dhe kanë rënë dakord për këtë situatë, në këmbim të një shume prej 20 milionë lekë. Ish- kreu i Burgjeve u shpall fajtor më 11 maj për akuzën e korrupsionit, e kryer në bashkëpunim, duke u dënuar me 5 vite burg.

Dëshmia që e mbajti në burg 2 vite

Për Iljaz Labin, i konsideruar si bashkëpunëtor i drejtësisë, prokuroria kërkoi dënimin me 5 vite burg, por pezullimin e dënimit për shkak të bashkëpunimit. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e dënuar me 3 vite burg. Por ndërkohë që Zoto u shpallë i pafajshëm, çdo të bëhet me Iljaz Labin, dëshmia e të cilit mbajti për dy vite pas hekurave eprorin e tij, kjo ende nuk dihet. “Më thirri drejtori i përgjithshëm në zyrë një ditë dhe më tha se po hapej një procedurë tenderimi për ushqimet. Më tha që kemi këtë procedurën që do e bëjmë me negocim. Kam biseduar me operatorët dhe do të merresh ti me këtë punë. Në këto kushte, unë mora dijeni për këtë procedurë dhe fillova të interesohem për subjektet konkurruese. Konkretisht, duke qenë se unë nuk kisha marrëdhënie dhe njohje me operatorët, drejtori Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi se si do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me procedurën që do të kryhej. Më konkretisht, Ylberit i thashë që më kishte lënë porosi drejtori për t’u marrë me këtë punë dhe se do të isha unë ndërmjetësi. Ylberi më tha se ishte duke folur me operatorët e tjerë, pasi kishte dijeni më parë për këtë gjë. Më pas është zhvilluar procedura prokuruese dhe është shpallur fituese e saj shoqëria “Nelsa” sh.p.k. Pas mbarimit të procedurës, mua më ka thërritur drejtori i përgjithshëm Artur Zoto dhe më ka pyetur se si po shkonin gjërat, duke pasur parasysh pagesën e pritshme prej operatorëve. I kam thënë se kisha biseduar me Ylberin dhe se isha duke pritur që ai të më sillte paratë, siç edhe kishim biseduar më parë. Mesa kam parasysh, shuma që do të paguhej nga operatorët për drejtorin do të ishte nga 10 deri në 20 % e vlerës totale të prokurim”, ka thënë Iljaz Labi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat