Vetingu i politikës, Millard: Çelësi është SPAK dhe BKH

Shqipëria

Vetingu i politikës, Millard: Çelësi është SPAK dhe BKH

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 00:45
Elisabeth Millard

Reforma në Drejtësi është e vetmja mënyrë për të pastruar politikën nga krimi dhe korrupsioni.

Kështu u shpreh zv.Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Elisabeth Millard gjatë një interviste televizive, duke theksuar se SHBA presin rezultate konkrete, duke përcaktuar SPAK dhe BKH si institucionet kyçe të kësaj reforme.

Gjatë kësaj interviste, Millard dha një sërë përgjigjesh për disa çështje mjaft të rëndësishme për vendin tonë, si dhe për vetingun e politikës, ku çelësi sipas saj është SPAK dhe BKH.
“Është gjithnjë mirë të shihet se çfarë mund të bëhet dhe mund të jetë një rol i rëndësishëm për opozitën dhe qeverinë që të punojnë për të parë se çfarë mund të bëhet tjetër, por mendoj se çelësi është ngritja dhe funksionimi i këtyre institucioneve të rëndësishme, mendoj se ky duhet të jetë fokusi në këtë moment”, – theksoi Millard.

E pyetur rreth rezultateve të Reformës në Drejtësi dhe efektivitetin e saj, Millard theksoi se SPAK dhe BKH do të jenë institucionet kyçe në këtë drejtim.

“Kjo është një fushë e rëndësishme për të punuar së bashku dhe mendoj se një nga gjërat që po presim janë rezultatet konkrete dhe e di që janë planifikuar disa institucione në vend. Unë u informova për SPAK-un dhe BKH-në, që mendoj se do të jetë institucione kyçe, të cilat ndërsa do mund të bëjnë punën e tyre të rëndësishme, do të ndihmojnë që të shohim përparim thelbësor në këtë fushë të rëndësishme”, – theksoi Millard.

Gjatë intervistës, Millard u ndal edhe te raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, duke evidentuar ecurinë e reformave dhe punën që po bëhet.
“Ne kemi parë Shqipërinë të përparojë në shumë fusha dhe kemi parë fusha tek të cilat vazhdohet të punohet, dhe sigurisht pjesë e kësaj pune është të sigurohemi që reforma demokratike të vazhdojë, dhe sidomos reforma në Drejtësi të vazhdojë, dhe unë e di që është bërë shumë punë dhe se ajo punë vazhdon”, – theksoi ajo.
Zv.Ndihmës Sekretarja e Shtetit Millard foli edhe për luftën kundër lëndëve narkotike, duke theksuar se “ky është një prioritet si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Shqipërinë, në punën tonë të përbashkët si partnerë dhe aleatë dhe sigurisht që ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim”, – përfundoi Millard.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat