Foli me emra konkret biznesesh, PS i hap letrat kreut të PD: Do nxjerrim aferat e familjarëve të Bashës

Shqipëria

Foli me emra konkret biznesesh, PS i hap letrat kreut të PD: Do nxjerrim aferat e familjarëve të Bashës

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 14:34
Klotilda Bushka

Dy ditë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha foli me emra konkret biznesesh që sipas tij po favorizohen në kundërshtim me ligjin nga qeveria “Rama”. Basha foli edhe për masa ekstreme, duke prezantuar një paketë propozimesh ligjore të cilësuar si nisma anti-mafia.

Por vetëm 24 orë më pas, nga zyra e kryesisë së Kuvendit dhe jo selia rozë, Partia Socialiste i ka kthyer përgjigje me të njëjtën monedhë përmes deputetes Klotilda Bushka-Ferhati. Në qëndër të sulmit, kunati i Lulzim Bashës, Erion Isufi.

Deklarata për media e deputetes së PS-së, Klotilda Bushka:

I pyetur dje në një emision televiziv, Lulzim Basha deklaroi se asnjë familjar i tij nuk zotëron ndonjë firmë konsulence, aq më pak të lidhura këto me shtetin apo me ata që ai i konsideron si oligarkë.

Edhe një herë më shumë, lideri i opozitës doli në televizor për të mashtruar opinionin publik.

Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”.

A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra.

Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, “deklarojnë” se u mbeten në xhep po aq sa fitojne shumë biznese të vogla qe kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%. Por, mashtrimi me taksat është halli më i vogël që ka Luli dhe familjarët e tij.

Të gjitha këto para që siguron kjo “perandori” konsulence janë siguruar direkt duke punuar eksluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobëvënie ndaj biznesit janë vendosur në “listën e zezë” të Lulit.

Si ka mundësi që ndërsa Luli përbetohet se do të pastrojë vendin nga “oligarkët”, kunati, gruaja dhe e gjithë familja e tij pasurohen përditë e më shumë duke punuar me të njëjtët persona?

Shumë nga biznesmenët, të cilët Luli i ka grupuar bashkë në listën e tij të zezë, prej vitesh derdhin para direkt në xhepat e familjes së tij, përmes kontratave që kanë me kompanitë e kunatit.

Po përse pra këto dy standarte? Përse Luli nga njëra anë mbush xhepat dhe nga ana tjetër del me shpatë në dorë kundër biznesit?

A mos vallë fushata e nisur nga kryetari i opozitës, ndaj të njëjtëve persona që e kanë ndihmuar të pasurohet, është një fushatë gjobvënie, përmes të cilës Basha pretendon të blejë heshtjen e bizneseve?

A mos valle Lulzim Basha po ben pikerisht ate per te cilen akuzojet brenda PD: Sulme nominale mbi biznesin për të vjelur taksën e heshtjes së tyre!

A mos valle ky persekutim, stil sipas vitit 46, kundër kulakeve te anatemuar sot si oligarke, eshte nje sulm me maska politike i opozitës së bashkuar për të detyruar bizneset të paguajnë?

Apo mos vallë kunati i Lulzim Bashes kërkon më shumë prej tyre, nga sa merr rregullisht, dhe për këtë përdor altoparlantin e Partisë Demokratike?!

Partia Socialiste nuk mund të qëndrojë në heshtje, kur dëgjon këtë “persekutim” të çmendur të denjë për vitin 1946, kundër kulakëve të anatemuar sot si oligarkë.

Asnjë qytetar i zakonshëm i këtij vendi, që synon të pasurohet përmes punës së tij të ndershme, nuk mund të pranojë këtë sulm me maska të opozitës, që synon të bëjë bizneset të paguajnë në xhepat e tyre.

Të gjithë e dimë që kjo ishte një praktikë e zakonshme pune në kohën e qeverisë së PD apo në kohën e kryebashkiakut të fjetur të Tiranës.

Të gjithë e dimë një herë e mirë se në atë kohë, përsa kohë derdhje rregullisht haraçin në dyert e partisë, nuk kishte polic apo agjent tatimor që të të dilte përpara, por kjo kohë ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Koha e rrumpallës dhe e plaçkitjes së biznesit ka perënduar, së bashku me pushtetin e Partisë Demokratike.

Koha e përçudnimit të çdo personi që guxonte të bënte para jashtë pushtetit, koha e shkeljes me këmbë të sipërmarrjes në këtë vend ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Ditë pas dite, do t’iu tregojmë rastet konkrete të të gjithë kësaj historie të turpshme, të aferave të familjarëve të Bashës dhe kësaj tentative të turpshme për të zhvatur biznesin e madh në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat