Vettingu e nxorri jashtë loje institucionin, kush janë kandidatët e rinj për Kushtetuesen

Shqipëria

Vettingu e nxorri jashtë loje institucionin, kush janë kandidatët e rinj për Kushtetuesen

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 17:06
Ilustrim

Ndërkohë që lista e parë e përparësisë për procesin e rivlerësimit është në përfundim, duke nisur nga shtatori, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të nisë rivlerësimin për listën e dytë.

Në këtë të fundit, ndodhen edhe shtatë kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, e cila ka mbetur me vetëm dy anëtarë momentalisht.

Kështu, “Panorama” mëson se kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, të cilët do të kalojnë në filtrat e vetingut përpara se të marrin dritën jeshile nga KED janë: Ilir Mustafaj, Luan Dervishi, Rexhep Bekteshi, Ragleta Panajoti, Valbona Bala, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska.

Nga ana tjetër, pas marrjes së vendimit të formës së prerë të shkarkimit të Fatos Lulos nga Gjykata Kushtetuese, është shpallur edhe vakanca për zëvendësimin e tij. Momentalisht, sistemi i drejtësisë në vend është në kolaps. Gjykata e Lartë, e cila duhet të kishte të paktën pesë anëtarë për të funksionuar ka mbetur me katër anëtarë, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka mbetur me vetëm dy anëtarë.

Deri më tani, Gjykata Kushtetuese është jofunksionale dhe madje rrezikon që të mbetet me një anëtar të vetëm, në rast se KPA-ja vendos që të shkarkojë nga detyra kryetarin e kësaj gjykate, Bashkim Dedjen, rikonfirmimi në detyrë i të cilit është ankimuar nga Komisioneri Publik me rekomandim të ONM-së.

Komisioneri Publik ndalet në potencialin financiar të kreut të Kushtetueses në blerjen e një apartamenti në Tiranë. Dedja ka deklaruar se për apartamentin 146 metra katrorë ka marrë kredi 120 mijë euro me afat 20 vjet.

Si burime për blerjen e apartamentit, ai ka deklaruar 35 mijë euro kursime dhe dy hua pa interes në vlerën totale prej 25 mijë eurosh të marra nga vëllai dhe kunati i tij. Mirëpo, Komisioneri Publik del në përfundimin se Dedja nuk ka patur burime financiare të ligjshme për të paguar këstin e parë të apartamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat