Fati i Teatrit sërish në Kuvend! Juristi: Presidenti mundet ta kthejë ligjin

Shqipëria

Fati i Teatrit sërish në Kuvend! Juristi: Presidenti mundet ta kthejë ligjin

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 18:00
Ilustrim

Presidenti Meta ka të drejtë ta rikthejë per rishqyrtim ne Kuvend ligjin Teatrin Kombetar, sipas juristit Çlirim Gjata, pasi ligji ka ndryshuar që nga titulli i tij.

Fati i Teatrit Kombëtar ndodhet sërish në pritje të firmës së Presidentit Meta.

Kampet politike kanë intepretime të ndryshme të Kushtetutës, nëse Kreu i Shtetit duhet ta kthejë apo jo ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Mazhoranca pretendon se Meta nuk e ka të drejtën e firmës në këtë rast, pasi Kuvendi votoi dekretin dhe jo një ligj të ri.

Për juristin, Çlirim Gjata, ky pretendim i PS-së bie pasi përmbajtja e ligjit është ndryshuar dhe vendosja e të njëjtit numër është antikushtetues.

"Ka shkuar ligj me ndryshime, me disa nene të ndryshme, por ligj i ri. Nuk është më ligji që ka qenë, se u rrëzua me dekret të Presidentit dhe u miratuan ndryshimet e reja. Më thoni, ligji numër kaq, as titull dhe as nene, a është ligj?", u shpreh Gjata.

Juristi thotë se Presidenti ka të drejtë shqyrtojë dhe ta rikthejë ligjin në Parlament, pasi ligji i vjetër ka rënë.

"Ligji ka përmbajtjen, thelbësore është përmbajtja. Nuk mundet elementi formal të rrëzojë përmbajtjen, nuk mundet të ndryshojë ndryshimet në ligj. Tek Presidenti po shkon një ligj i ri dhe ai ka të drejtën ta kthejë sepse është herë e parë", argumenton juristi.

Ligji i ndryshuar për Teatrin Kombëtar ka mbërritur në Presidencë të hënën ndërsa po shqyrtohet nga kabineti i Kreut të Shtetit.

Meta ka afat 20 ditë për ta dekretuar, për ta kthyer në Kuvend ose ta kalojë në heshtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat