Arrestohet zyrtari i regjistrimit të veturave dhe sekseri

Shqipëria

Arrestohet zyrtari i regjistrimit të veturave dhe sekseri

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 08:19
Ilustrim

Policia shqiptare ka arrestuar një zyrtar të Regjistrimit të Mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor dhe një sekser, pasi i kishin kërkuar të holla një qytetari për t`ia falsifikuar numrat e regjistrimit.

Policia ka njoftuar se operacioni policor i koduar “Targa e bukur” nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka rezultuar me dy të arrestuar.

“Në pranga Specialisti i Regjistrimit të Mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor dhe Sekseri, pasi i kërkuan pronarit të një automjeti një shumë monetare në këmbim të pajisjes me targë me numra të njëjtë. Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Targa e bukur”, arrestuan në flagrancë shtetasit : A. E., 38 vjeç, banues në Tiranë (specialist pranimi në sallën e regjistrimit të mjeteve në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor). S.M., 31 vjeç, banues në Tiranë ( në rolin e sekserit, i dënuar më parë për veprën penale “Deklarim i rremë)”, ka bërë të ditur policia.

Më tej në njoftim thuhet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin (shtetasi S. M. luante rolin e sekserit ), i kanë kërkuar pronarit të një automjeti një shumë monetare prej 50 000 lekë të reja në këmbim të pajisjes së automjetit me targë me numra të njëjtë.

“Në momentin e kapjes në flagrancë shtetasve të mësipërm iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma monetare prej 50 000 lekë të reja e përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit A. E., dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit S. M.”, përfundon njoftimi i policisë së shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat