Mrekullia shqiptare

Shqipëria

Mrekullia shqiptare

Nga: ATSH Më: 28 shtator 2018 Në ora: 10:49
Ilustrim

Pesë vite më parë, Shqipëria përballej me një situatë vërtetë të rrezikshme. Me Greqinë dhe Italinë që po përfshiheshin nga kriza e euros, remitencat dhe ardhja e kapitalit po binin dhe ekonomia pësoi një rënie të ndjeshme.

Deficiti fiskal u rrit më shumë se 7% të PBB-së, ndërkohë që akcesi në tregjet e jashtme ishte mbyllur dhe normat e brendshme të interesit ishin në stratosferë.

Për më tepër, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike ndodhej në një krizë operacionale dhe financiare, e paaftë të paguante për energjinë elektrike, që supozohej se duhej të blinte prej kompanive të prodhimit. Borxhet e qeverisë dhe të kompanisë elektro-energjetike po nxisnin një rritje të kredive të këqija në sistemin bankar. Ishin të pranishëm të gjithë përbërësit për një rezultat katastrofik. Vijmë menjëherë në të tashmen: ekonomia po rritet me një ritëm të fortë prej 4.2%, e shtyrë prej rritjes dyshifrore e eksporteve në bujqësi, miniera, prodhim, energji, turizëm dhe shërbime të biznesit.

Në një kohë kur ekonomitë e vendeve në zhvillim, në rajone të ndryshme, si Argjentina, Turqia, Nigeria dhe Afrika e Jugut përballen me rënie të monedhës dhe rritje të normave të interesit, Shqipëria ka normat më të ulëta të interesit në historinë e vet dhe një monedhë që forcohet. 

Sot, ajo ka riskun më të ulët të bonove në klasën e shteteve të ngjashme me të, gjë që tregon se tregjet mendojnë që agjencitë e vlerësimit kanë qenë të pavëmendshme.

Dikur Koreja e Veriut e Evropës nën diktatorin komunist Enver Hoxha, të ardhurat për frymë sot të Shqipërisë janë se 25% e Gjermanisë. Nëse mban këtë nivel rritjeje, ajo do të arrijë të ardhurat aktuale të Gjermanisë për 32 vite.

Në një kohë kur ekonomistët po fajësohen për gjithfarësoj rezultatesh zhgënjyese dhe institucionet shumëpalëshe si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore po akuzohen se nuk po i këshillojnë shtetet ashtu si duhet, është inkurajuese të zbulosh se, në fund të fundit, ato mund të mos jenë krejt të padobishme.

Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë?

Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë deri sa bëhet shumë vonë, kryeministri Edi Rama e thërriti FMN-në sapo erdhi në pushtet në shtator 2013. Më pas, qeveria e tij negocioi një program që i mundësoi Shqipërisë të sigurojë mbështetje financiare, ndërkohë që vinte rregull në financat e veta. Programi trevjeçar përfundoi me sukses pothuaj dy vjet më parë dhe raporti i borxhit me PBB-në mbetet në një trend në rënie. Këtë vit, ai po bie me 2,5% të PBB-së, ndërkohë që vendi po e zgjeron në mënyrë domethënëse, buxhetin e tij të investimeve publike.

Që të jesh në gjendje të rritet në mesin e një konsolidimi fiskal, nevojitet diçka tjetër që të shtyjë ekonominë përpara, zakonisht janë eksportet. Dhe eksportet po rriten në Shqipëri, ku kam udhëhequr një program kërkimor që prej vitit 2013 të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të “Harvardit”, jo për shkak të fatit, por falë një përpjekjeje të palodhur për të eleminuar pengest dhe kapur mundësitë.

Në këtë proces, Shqipëria iu shmang tundimit për t’u fokusuar në indikatorët e përgjithshëm të Doing Business, që supozojnë se të ndjekësh në mënyrë rastësore praktikat më të mira ndërkombëtare, mund të sjellë ndonjë të mirë. Në vend të kësaj, autoritetet ndoqën një qasje analizuese për të përcaktuar prioritetet në politikat e tyre. 

Të këshilluar nga Matt Andrews i “Harvard Kennedy School of Government”, politikëbërësit përdorën një strategji implementuese bazuar në një proces përsëritës të orientuar nga problemet, që fillon duke e pikasur problemin, identifikuar shkaqet e tij dhe hartuar pënyar për ta zgjidhur.

Kjo gjë solli shumë ide që rezultuan të fuqishme. Në bujqësi, zhvillimi i grumbulluesve ndihmoi fermerët e vegjël të lidhen me teknologji më të mira dhe tregje më fitimprurëse, duke krijuar kështu një bum në eksportet e perimeve. Në sektorin energjetik, qeveria përshtati një strategji jo-ortodokse për të ndryshuar sjelljen e qytetarëve në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike dhe mospagimin, gjë që solli në vitin 2015 një ndryshim rrënjësor prej pothuaj 2% të PBB-së, në të ardhurat cash të kompanisë së shpërndarjes.

Po kështu, grupet këshillimore në prodhim dhe turizëm identifikuan fushat ku kishte potencial përmirësimi. Shqipëria ka investuar në rimëkëmbjen e qyteteve të veta historike dhe tani po investon në 100 fshatra me potencial të madh për agroturizëm, të cilët ndodhen në zona që janë edhe të varfëra dhe të virgjëra. Nuk është çudi që turizmi po rritet me një ritëm dyshifror.

Për më tepër, ambasadorët e vendit po shfrytëzohen tashmë në një strategji të bashkërenduar për të nxitur investimet e huaja përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me kompanitë. Dhe politikëbërësit tani po angazhojnë diasporën e Shqipërisë, e cila është një burim i rëndësishëm talenti, investimesh, mundësive për treg dhe ideve për sipërmarrje, me një impakt të fortë.

Risitë nuk kanë qenë vetëm në nivel kombëtar. Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka trefishuar të ardhurat e Bashkisë që kur erdhi në krye të saj në vitin 2015 dhe i ka përdorur ato në mënyra që e kanë bërë Tiranën një prej qyteteve më të këndshëm  në rajon. Kryeqyteti i Shqipërisë ka fituar çmime europiane për zhvillimin e hapësirave urbane me cilësi të lartë dhe për zgjidhjen e problemeve të lëvizshmërisë dhe atyre mjedisore në mënyra inovative.

Mësimet për vendet e tjera janë të qarta. Suksesi përballë vështirësive ndodh kur qeveritë janë të vetëdijshme për gjendjen e vështirë dhe për dobësitë e tyre, munden të përcaktojnë objektivat dhe të kërkojnë pa pushim për mënyra që të arrijnë aspiratat e tyre. Në këtë proces, vendet nuk janë vetëm. Sistemi i asistencës financiare ndërkombëtare udhëhequr nga FMN-ja dhe institucionet e zhvillimit financiar mund të vijë në ndihmë. Por shtetet duhet të dinë se kur dhe si t’i shfrytëzojnë më së miri. Ata mund të shtojnë kapacitetet e qeverisë, por nuk mund të zëvendësojnë përkushtimin e qeverisë.

Mësimi për Bashkimin Evropian është i qartë: kur mendojnë për vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme të shikojnë jo vetëm çfarë janë dhe çfarë kanë qenë këto vende, por edhe zellin me të cilin ato veprojnë në mënyrë që të jenë çfarë ato aspirojnë të bëhen. Për pjesën më të madhe të historisë së saj, Shqipëria dukej e pashpresë. Por i pashpresë është ai që bën të pashpresin. Tani, kthesa e Shqipërisë është një burim shprese për gjithë ne të tjerët.

Ricardo Hausmann është drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e “Harvardit” dhe profesor i ekonomikut në “Harvard Kennedy School”, ai ka qenë ish-krye ekonomist në Bankën Ndëramerikane për Zhvillim./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat