Pavlopoulos: Nëse Shqipëria do mbështetjen tonë, të mos shtrojë çështjen çame

Shqipëria

Pavlopoulos: Nëse Shqipëria do mbështetjen tonë, të mos shtrojë çështjen çame

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 16:41
Prokopis Pavlopulos

Presidenti i Republikës greke, Prokopis Pavlopulos ka artikuluar deklarata mjaft të ashpra për çështjen çame, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të pranojë të vërtetën historike të sa kaluarës kriminale të çamëve si bashkëpunëtorë të nazizmit.

“ Vendi ynë fqinj, Shqipëria, për të cilën ushqejmë ndjenja miqësore, duhet ta dijë se gjithçka kalon nga respektimi i të vërtetës dhe i historisë. Duhet pra ta dijë se e ashtuquajtura çështje çame është problem, pse ata u bënë bashkëpunëtorë të nazistëve. Dhe për sa kohë e mbështet këtë çështje është sikur mbështet ata kriminelë që përgjakën gjithë Europën. Dhe të mos marrë parasysh që Europa ku Shqipëria synon të hyjë, është ngrehina që u krijua për mos t’i jetuar kurrë më ato krime, ato mizori”, deklaroi  Pavlopulos.

Pavlopoulos foli të shtunën në një veprimtari përkujtimore të zhvilluar në Paramithia, ku në 29 shtator 1943 u vranë 49 grekë “nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë çamë”, sipas historiografisë greke.

Në vazhdim të deklaratës së tij në drejtim të Shqipërisë, Pavlopoulos shtoi:

“I themi krejt sinqerisht, nëse e do miqësinë tonë dhe fqinjësinë e mirë, mbështetjen tonë në rrugën e saj europiane që përndryshe është e domosdoshme, duhet që menjëherë të pranojë të vërtetën e padiskutueshme historike të së kaluarës kriminale naziste të çamëve dhe mos ta përmendë kurrë në marrëdhëniet ndërmjet nesh. Çdo herë që e përmend, është çështje nderi për ne. Le ta kuptojnë, nuk çështje hakmarrjeje. Është çështje drejtësie.

Nuk kam ndërmend që të provokoj përçarje, mirëpo është obligimi im elementar që të rehabilitoj historinë, duke u thënë fqinjve se çfarë është ajo që mund të na bëjë të ecim së bashku, por edhe çfarë është ajo që në mënyrë të panegociueshme do të kundërshtojmë, jo vetëm për Greqinë, por edhe për vetë familjen europiane”, tha presidenti grek.

Pavlopoulos tha se “çamët nuk u larguan të përndjekur nga Thesprotia, siç pretendojnë, por që të mos gjykohen si bashkëpunëtorë të nazizmit, sepse duhej të gjykoheshin, pasi kryen krime kundër njerëzimit”.

“Madje edhe sot ata i paraqesin ngjarjet në mënyrë të ndryshme. Pretendojnë se gjoja luftuan kundër nazistëve dhe se nuk ishin bashkëpunëtorë të tyre. Është një shtrembërim provokues i të vërtetës historike… E përsëris, çdo mbështetje ndaj këtij shtrembërimi nga Shqipëria fqinje, i influencon dhe madje në mënyrë përcaktuese marrëdhëniet ndërmjet nesh”, përfundoi presidenti grek”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat