Telekom Albania drejt shitjes, kërkon ta blejë Telekom Serbia

Shqipëria

Telekom Albania drejt shitjes, kërkon ta blejë Telekom Serbia

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 17:43
Telekom Albania

Telekom Albania, kompania e parë e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri është në negociata për t’u shitur.

Gjiganti Deutsche Telekom, i cili zotëron paketën e plotë të aksioneve të Telekom Albania, përmes grupit grek OTE po shqyrton mundësinë e largimit nga Shqipëria. Negociata janë konfirmuar zyrtarisht nga grupi OTE në një përgjigje zyrtare për Top Channel, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Bazuar në prioritetet strategjike, grupi OTE vlerëson në mënyrë konstante të gjitha asetet, përfshirë ato në Shqipëri me qëllim që të krijojë vlerë për aksionerët dhe të avancojë interesat e grupit. Aktualisht është në vazhdim procesi i vlerësimit dhe ka diskutime të rëndësishme me disa subjekte. Sipas praktikave tona ne do të njoftojmë autoritetet dhe publikun kur të kemi diçka thelbësore për të njoftuar”, thuhej në përgjigjen zyrtare.

Burimet bëjnë të ditur se në garë për të blerë Telekom Albania janë tre kompani, mes të cilave dy bullgare dhe Telekom Serbia. Madje kjo e fundit po përflitet si kandidatja kryesore për të blerë Telekom Albania.

Top Channel ka mësuar se këtë javë mbërrin të Tiranë një drejtues i lartë i Deutsche Telekom, i cili do të ketë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare. Sipas burimeve, ende jo të konfirmuara zyrtarisht, bashkë me të do të jetë edhe një përfaqësues nga Telekom Serbia, për të kërkuar nga qeveria shqiptare dhënien e pëlqimit në rast të një marrëveshje të mundshme.

Por çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria shqiptare, përballë mundësisë që nga  sektorët strategjik të vendit të blihet nga një kompani serbe? Një zyrtar i lartë i qeverisë dha këtë përgjigje.

“Qeveria shqiptare akoma nuk është njoftuar zyrtarisht për blerësin potencial të Telekom Albania. Qeveria do e shprehë qëndrimin e saj vetëm pasi të njoftohet zyrtarisht, megjithëse kemi të bëjmë me një transaksion privat”, ka thënë ky zyrtar.

Largimi i gjigantit Deustche Telekom nga Shqipëria dhe zëvendësimi i mundshëm i tij me një kompani serbe, që do të shtinte në dorë një sektor strategjik, përbën një zhvillim të fortë në treg me impakte, jo vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike.

Deri më tani gjithçka është në fazë negociatash, por burime jo zyrtare thanë për Top Channel se paraprakisht presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kërkuar miratimin për këtë transaksion edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat