Duma: Shqipëria është varur në litarin e krimit

Shqipëria

Duma: Shqipëria është varur në litarin e krimit

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 00:43
Grida Duma

Pas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për dëshminë e Xhisiela Malokut, dhënë në emisionin “Open” ka reaguar edhe deputetja e kësaj force politike, Grida Duma.

Në një postim në Facebook, Duma theksoi se sonte, të gjithë shqiptarët që panë Xhisielën të mbrojë dhunuesin e saj, u bënë dëshmitarë që Shqipëria është e varur në litarin e krimit.

Deputetja e PD-së akuzoi se pushteti i Ramës ka tejkaluar edhe regjimin e Enver Hoxhës, “duke nxjerrë viktimën në sheshin mediatik, për të treguar se si pasi dhunohet, ajo pendohet që preku mafian”.

Kujtojmë që Xhisiela Maloku, në një intervistë për Eni Vasilin, mohoi të jetë dhunuar nga djali i deputetit të PS-së dhe tha se denoncimet e panumërta nëpër rajonet e policisë, i ka bërë nga xhelozia.

Ja reagimi i plotë e Grida Dumës:

Sonte shqiptarët ndërsa ndjekin vajzën e dhunuar që mbron dhunuesin, e mpirë e ngrirë agresive e egër ndaj kujtdo që do ta mbrojë; po bëhen dëshmitarët okularë që Shqipëria është tashmë e varur në litarin e pushtetit kriminal. Sonte litari po shtrëngohet, kujtdo i është marrë frymë se si viktima mbron edhe me humbjen e lirisë së vet, dhunuesin.

Sonte vajza e dhunuar por vret veten, po pranon të dënohet për dëshmi të rreme, po lavdëron dhunuesin, po falënderon kërcënuesit dhe po pështyn mbi veten duke shkelur mbi plagët e veta, duke pranuar të banalizohet si një e sëmurë që vetëdigjet me cigare.

Nuk ka fuqi të mendojë sot për sa po rrezikon dhe kjo shpjegohet me vetëm një gjë, kërcënimi që i bëhet tani duhet të jetë edhe më i egër se vetë burgosja e saj.

Kërcënimi duhet të jetë shumë i rëndë, mund të jetë marrje jete të motrës apo nënës, mund të jetë çdo gjë e rëndë që nuk na e kap imagjinata. Dhe jo nuk mund të jetë vetëm një blerje me para, këtë skenar mund ta kishin bërë më parë për heshtjen e saj. Kërcënimi duhet të jetë shumë më i rendë.

Xhiseila kapet lehtësisht në gënjeshtër nga gazetarët, dhe ajo sërish i gjuan vetes. Ajo mund të pranojë të duket e sëmurë, e ulët e gënjeshtërt madje dhe të dënohet me burg por vetëm një gjë nuk pranon, ti preket dhunuesi.

Pranon të jetë e tallur, ajo zor se gëlltitet dhe nxjerr vrerin e një njeriu në hall jo kur i preket dinjiteti i vet por kur i preket reputacioni i babait deputet të djalit dhunues. Nuk tha asnjë çast, “vuajtjet e nënës sime prej meje”, nuk tha as “vuajtjet e motrës”, ajo bërtet për prekjen e deputetit.

Shqiptarët e kanë të qartë që sonte ka shpërthyer si një vatër infeksioni, e vërteta therëse dhe ndoshta më e rrezikshme e qindra viteve histori.

Në pushtetin diktatorial të Hoxhës dhuna e përbindshme ka ndodhur për arsye histerie politike. Në pushtetit ramist viktima është varur në sheshin mediatik dhe po jep shown se si njeiru pasi dhunohet mund të vetë-goditet për pendesën që preku mafian, ky show po bëhet me qëllim shembull që askush mos guxojë të prekë mafian në pushtet.

Ku janë sonte të gjithë agjipropët që çirreshin se kishin hallin e vajzës së dhunuar. A mendojnë sonte të gjithë ata që janë prindër vetë, ndërsa ironizonin se po përdorej e dhunuara, që e çuan studio më studio, si trup i vdekur ta coptonin korbat e pushtetit.

Sot e nxorën me fytyrë nëpër ekrane ta poshtëronin. I bënë publikisht atë që i bënë nëpër hotele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat