Xhisiela, 3 ministra dhe policët që nuk i afruan mbrojtje duhet të hetohen

Shqipëria

Xhisiela, 3 ministra dhe policët që nuk i afruan mbrojtje duhet të hetohen

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 13:06
Xhisiela Maloku ka denoncuar në polici dhe institucione të tjera të zbatimit të ligjit dhunimin, përdhunimin dhe kërcënimet që i janë bërë nga Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rahman Rraja.

Në kohështrirjen fund 2017 deri gusht 2018, Xhisiela Maloku ka denoncuar në polici dhe institucione të tjera të zbatimit të ligjit dhunimin, përdhunimin dhe kërcënimet që i janë bërë nga Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rahman Rraja.

Bazuar në pohimet e oficerit të policisë Emiljano Nuhu, kanë marrë dijeni apo në shqyrtim për këto denoncime një sërë oficerësh të policisë të Komisariatit 3 Tiranë, një sërë oficerësh dhe shefi i krimeve të Komisariatit 6 Tiranë, oficeri Gentjan Çitozi i stacionit të policisë Fushë-Krujë, disa punonjës të Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme dega Durrës.

Të gjithë këta punonjës të zbatimit të ligjit përveç ligjeve penale kanë qenë të detyruar të zbatojnë Ligjin për Masa ndaj Dhunës në Familje, i cili mbulon jo vetëm dhunën mes bashkëshortëve, bashkëjetuesve dhe patnerëve, por edhe dhunën në rastet e marrëdhënieve dashurore.

Qëllimi i ligjit është të detyriojë autoritetet shtetërore të “marrin masa dhe përdorë mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës” ndaj viktimës, krahas ndjekjes penale të rastit.

Më poshtë, ne po rendisim detyrimet ligjore që janë shkelur apo nuk janë përmbushur nga të gjithë këta punonjës të policisë.

Informimi i viktimës dhe dërgimi në qendrat e mbrojtjes shoqërore

Neni 8, pika 3 i detyron autoritetet shtetërore, përfshi policinë që të informojë viktimën “për masat që do të merren sipas ligjit në fuqi dhe për institucionet të cilave duhet t’u drejtohet.”

Ata duhet ta informonin atë gjithashtu për “shërbimet sociale ekzistuese dhe shoqërimit në qendrat dhe institucionet përkatëse” dhe ta referonin tek këto institucione.

Nëse viktima pranon t’u drejtohet qendrave shëndetësore dhe apo sociale, autoritet duhet të sigurojnë transportin e viktimës në këto qendra.

Shoqërimi i menjëhershëm me punonjës policie

Kur vlerësohet apo pohohet nga personi i dëmtuar se i rrezikohet jeta, policia duhet të sigurojë “vënien në dispozicion të menjëhershëm të një punonjësi policie.”

Ndalimi i afrimit të të paditurit

Gjithashtu sipas nenit 10, Policia dhe institucionet e shtetit duhet të:

“ndalojnë menjëherë të paditurin (dhunuesin) që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së saj” dhe “të ndalojnë menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes […..], ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;

Nxjerrja e urdhërit të menjëhershëm mbrojtje.

Policia duhet të kishte nxjerrë urdhër të menjëhershëm mbrojtje ndaj viktimave që dhunohen, i cili pastaj duhet të miratohet nga gjykata.

Nenit 13, pika 3 e ligjit shprehet:

“Kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund ta paraqesin a) vetë viktima; b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës; c) policia/prokuroria; ç) personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare.”

Konfiskimi i armëve apo mjeteve të dhunës

Duke qenë se dhunuesi kishte përdorur armë gjatë kërcënimit të viktimës dhe ishte hetuar më parë për “kanosje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”, policia duhet t’i kishte konfiskuar, sipas nenin 10, pika g “çdo armë që i përket dhunuesit apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij”.

Nëse autoritet shtetërore dështojnë në zbatimin e detyrimeve të mësipërme ligjore, ata vendosen përpara përgjegjësisë. Neni 8, pika 5 e ligjit të mësipërm shprehet se të gjithë personat “të cilët marrin dijeni për shkak të detyrës apo autoritetit të ngarkuar për zbatimin e këtij ligji dhe nuk veprojnë në zbatim të tij, ngarkohen me përgjegjësi administrative dhe/ose penale, duke zbatuar sanksione të përcaktuara në nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal”.

Në bazë të këtyre përcaktimeve ligjore, të gjithë këto punonjësit e policisë të përfshirë në rastin Maloku duhet të hetohen dhe dënohen për “dëmtim të interesave të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë dhe për mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë […], që ka prekur lirinë e shtetasit”.

Ata minimalisht duhet të përballen me akuza që nëse provohen sjellin dënime nga gjobë deri në 11 vite burgim.

Përveç punonjësve të policisë, këto ligje nuk janë zbatuar as nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, të cilat në bazë të ligjit, janë institucionet përgjegjëse kryesore për zbatimin e këtij ligji.

Ministrat Fatmir Xhafaj, Etilda Gjonaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të mbajnë pëgjegjësi publike dhe politike për mosveprimin e institucioneve dhe shërbimeve në varësi të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat