U qëllua me plumb në këmbë, rrëfimi për “luftën” me policinë

Shqipëria

U qëllua me plumb në këmbë, rrëfimi për “luftën” me policinë

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 13:13
Sidion Tabaku

I riu që mbeti i plagosur mbrëmjen e së hënës nga Policia ka treguar rrethanat e ngjarjes nga Urgjenca e Spitalit të Traumës, ku mbahej i shtruar deri dje pasdite.

Sidion Tabaku thotë se shërbimet e Njësisë “Shqiponja”, kanë qëlluar 4 herë në drejtim të tij dhe një nga plumbat e ka goditur në njërën këmbë.

Por, sipas tij, sikur të mos mjaftonte kjo, pasi ai është rrëzuar nga motori, policët që e qëlluan, kanë nisur ta godasin me shkelma, duke i shkaktuar edhe plagë të tjera në kokë. 

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, 28-vjeçari Tabaku thotë se nuk kishte kryer asnjë shkelje dhe nuk kishte asnjë objekt të jashtëligjshëm me vete, në të kundërt do ishte arrestuar. Megjithatë, ai pranon se nuk i ka ndaluar Policisë, pasi thotë se është trembur kur i ka parë dhe kur kanë nisur të qëllojnë. 

Deri në orët e pasdites, kur ne komunikuam me të në Spitalin e Traumës, askush nga Policia e Tiranës apo SHÇBA nuk ishte paraqitur për t’i marrë kallëzim apo deklarim. Ndërsa mbahej ende në urgjencë dhe nuk e kishin kaluar ende në pavijon, ndonëse ai thotë se mjekët i kanë pohuar se duhet të qëndrojë 3-7 ditë në spital. Plaga e armës së zjarrit ka qenë tejshpuese dhe është e dukshme në pulpën e këmbës së tij të majtë. Ndërsa ai thotë se ngjarja është tentuar të manipulohet, duke u trajtuar thjesht si një rrëzim nga motori. Tabaku tregon se policët që e qëlluan me armë dhe më pas e dhunuan fizikisht, sapo kanë mësuar se ishte i plagosur, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa ndihma e parë i është dhënë nga një efektiv i Komisariatit nr.4, që ishte gjendur rastësisht aty, i cili ka lajmëruar edhe ambulancën. Ndërsa ngjarja më pas është ndjekur nga shërbimet e po këtij Komisariati, që mbulon zonën ku ndodhi plagosja, që kanë shkuar aty të lajmëruar nga kolegu.

Ku po shkonit në momentin që ndodhi ngjarja?

Para se të ndodhte ngjarja, kam qenë afër “Shkollës së Bashkuar” me një shoqen time. Pastaj isha duke shkuar në drejtim të spitaleve, te “Rruga e Dibrës”.

Sa ishte ora?

Mund të ketë qenë diku rreth orës 23:10-23:20.

Me çfarë po udhëtonit?

Me motor.

Çfarë ndodhi?

Pashë dy patrulla Policie, por në fillim nuk mendova se e kishin me mua. Pastaj i pashë që më ishin vënë pas dhe u tremba.

Pse u trembët, kishte diçka që nuk shkonte?

Jo, unë s’kisha bërë asgjë, thjesht çështja e patentës, isha edhe pa kaskë.

Ku ndodhi saktësisht ngjarja?

Përballë spitaleve, është një dishezë në krah të një spitali privat, që del në Allias. Aty duke zbritur tek ajo dishezë, dëgjova të shtënat me armë.

U qëllua në ajër apo drejt jush?

U qëllua drejt meje.

Sa të shtëna keni dëgjuar?

Kur qëlluan, në fillim u largova, por ata m’u afruan dhe për pak sa nuk më përplasën dhe qëlluan prapë. Prapë u largova, arrita të shpëtoj. Ndërsa herën tjetër qëlluan dy herë dhe një plumb më goditi në këmbë. Në atë moment jam rrëzuar nga motori.

Nga motori je rrëzuar para apo pasi u qëllove?

Pasi u qëllua me armë rashë. Ndërkohë që u rrëzova, ata vazhduan të qëllonin sërish. Më pas erdhën dhe m’u afruan, nisën të më godisnin me sa mundën. Mund të më shikoni edhe syrin se si e kam. Kjo nuk është shenjë nga përplasja me motor. Vërtet rashë me kokë, por ata erdhën dhe më godisnin me shkelma.

Kishit bërë ndonjë shkelje, kishin ndonjë objekt të jashtëligjshëm me vete?

Asgjë. Nuk kam pasur asgjë të jashtëligjshme me vete.

Po pse nuk ndaluat, meqenëse ishit në rregull?

Mendova se çfarë kishte ndodhur që po vinin me aq vrull dhe u frikësova të them të drejtën. Por unë isha në rregull. Nuk kisha asgjë me vete, siç mund të aludohet, as armë, as drogë, asgjë. Pastaj, si mendoni, në rast se unë do kisha diçka të jashtëligjshme apo do kisha bërë ndonjë ngjarje kriminale, do ju lejonte njeri të flisnit me mua? Do isha i arrestuar tani, ju e dini më mirë këtë punë. Por nuk kam bërë asgjë.

Pra, sa herë është qëlluar me armë?

Katër herë. Një plumb më ka kapur këmbën.

Arritët t’i dallonit se çfarë uniforme kishin, pra, çfarë strukture Policie ishin?

Shqiponjat kanë qenë.

Çfarë ndodhi pas këtij momenti?

Ata ikën, më lanë aty të plagosur. Sapo morën vesh që isha plagosur, ikën.

Kush ju dërgoi në spital?

Erdhën policë të tjerë pastaj, nga Komisariati nr.4. Fillimisht u gjend rastësisht një polic i Komisariatit nr.4 aty, që lajmëroi ambulancën, më vonë erdhën edhe shërbimet e tjera. Ndërsa ata që më goditën nuk ishin më atë në atë kohë. Erdhi ambulanca dhe më solli në spital.

Po në spital ju morën në pyetje se çfarë ndodhi?

Asgjë, thjesht u dha një deklaratë që unë isha përplasur me motor. Shenjën e plumbit në këmbë as që e diskutuan.

Çfarë dëmtimesh keni marrë, çfarë ju kanë thënë mjekët?

Përveç plagës me armë zjarri që kam në këmbë, goditje tejshpuese, kam dhe një plagë në sy, më kanë thënë që kam edhe mpiksje gjaku në kokë. Mjekët thotë se duhet të rri të paktën edhe 3 ditë ose një javë në spital. Do bëj skaner dhe analiza për mpiksjen që kam në kokë. Nuk e di tani sa do zgjasë me saktësi.

Keni dhënë ndonjë deklarim për ngjarjen në Polici?

Deri tani asgjë. Nuk ka ardhur akoma njeri që të më marrë në pyetje. Por dua që të vihet drejtësia në vend. Isha në punën time, nuk kisha bërë asgjë në shkelje të ligjit.

Me çfarë pune merreni?

Jam barist, punoj në një lokal.

Po familjarët e tu me çfarë merren?

Të dy prindërit e mi punojnë në spital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat