Ish-ministri Ylli Manjani i kundërvihet Metës: Është shqetësuese deklarata e tij, s’ka pse të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese

Shqipëria

Ish-ministri Ylli Manjani i kundërvihet Metës: Është shqetësuese deklarata e tij, s’ka pse të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 10:08
Ilir Meta dhe Ylli Manjani

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Rama 1, Ylli Manjani ka dalë kundër deklaratës së presidentit Ilir Meta, për marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Meta tha dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se është dakord me kryeministrin Edi Rama për paktin me Greqinë për kufirin detar dhe cështjet e tjera të vjetra që po diskutohen në paketën mes dy vendeve, por marrëveshja duhet të kalojë në Kuvend në momentin që të ngrihet Gjykata Kushtetuese, pasi aktualisht ky institucion është jashtë funksionit për shkak të përjashtimeve që kanë ardhur nga vettingu.

Kjo gjë ka shqetësuar ish-ministrin Manjani, i cili në një postim në Facebook, shkruan se deklarata e Metës është shqetësuese dhe se presidenti nuk duhet të presë Gjykatën Kushtetuese për një process fals negociatash.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:

Është shqetësuese deklarata e Presidentit të Republikës që:”marrëveshja e detit me Greqinë të kalojë pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese”...

Presidenti si kryetar i shtetit, nuk ka pse të presë Gjykatën Kushtetuese për të denoncuar një proçes fallco negociatash, totalisht të diktuar nga qeveria Greke!

Ai proces diktati, i pranuar paturpësisht nga Qeveria jonë, ka prodhuar një draft marrëveshje dhe një hartë skandaloze që është shkëmbim i pastër territori.

Jepet shelf continental për të marrë ujë me kripë!!

Presidenti, si përfaqësues i unitetit të popullit, duhet thjesht ta denoncojë këtë farsë dhe produktin e saj anti kombëtar.

Në vijim Ai duhet të na sigurojë se nuk do të autorizojë nënshkrimin e asaj marrëveshje, pavarësisht ka apo jo Gjykatë Kushtetuese!

Autorizimi (Plotfuqishmëria) është detyrë kushtetuese e Tij, jo e Gjykatës.

Ndaj ska pse të fshihet pas argumentit (jo të pa drejtë) që ska gjykatë, por të garantojë popullin Shqiptar që sdo lejojë shkëmbim territori me Greqinë!

Kaq i kërkohet të bëjë!

Shqipëria dhe Greqia janë prej mëse 1 viti në një proces intensiv negociatash, për të arritur një marrëveshje për kufijtë detar dhe të tjera çështje që ndajnë të dy vendet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat