Grupi i hetimit telefonon ish-oficerin Emiljano Nuhu për dëshmi

Shqipëria

Grupi i hetimit telefonon ish-oficerin Emiljano Nuhu për dëshmi

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 21:22
Lajmi është konfirmuar nga burime të Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria e Tiranës ka marrë kontakt me ish-policin e Krujës Emiljano Nuhu i cili denoncoi publikisht se është kërcënuar në zyrë gjatë hetimit të padisë së Xhisiela Malokut kundër djalit të deputetit të PS Rrahman Rraja.

Mësohet se grupi i hetimit i ngritur për këtë çështje ka marrë si detyrë, ndër të tjera edhe pyetjen e ish-policit por për shkak se ai ndodhet jashtë Shqipërisë, kontakti me prokurorinë është realizuar me anë të telefonit.

Lajmi është konfirmuar për Ora News nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat nuk saktësuan nëse bëhet fjalë për marrjen në pyetje të ish-policit apo për një kontakt të parë me të me qëllim marrjen e dëshmisë në ditët e ardhshme.

Në prokurorinë e Tiranës aktualisht janë hapur dy hetime në lidhje me çështjen e Xhisiela Malokut. Njëra dosje bën fjalë për parregullsitë e Policisë së Krujës në lidhje me këtë çështje dhe dosja tjetër ka si objekt kallëzimin e Emiljano Nuhut për kanosje nga të afërmit e deputetit Rrahman Rraja.

Më 14 gusht me anë të një letre drejtuar institucioneve, Emiljano Nuhu ka pretenduar se është kërcënuar me jetë nga shtetasit Redjan Rraja dhe Ramazan Rraja. Sipas ish-policit, kërcënimi ka ndodhur në datë 30.07.2018 gjatë një takimi që ai ka pasur në tiranë me të afërm të deputetit.

Të mërkurën, Prokuroria e Përgjithshme tha se shkresën e ish policit e ka dërguar në Prokurorinë e Tiranës duke kërkuar kryerjen e verifikimeve të nevojshme mbi pretendimet e Emiljano Nuhut, për kërcënimet dhe frikën për jetën që ai ka shprehur në letrën e tij.

Sipas organit të akuzës, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”. Ndërkohë të enjten në orët e pasdites, deputeti i PS Taulant Balla është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka qëndruar për rreth 30 minuta.

Sipas burimeve të Ora News, mësohet seBballa ka dorëzuar në organin e akuzës material shtesë në lidhje me kallëzimin penal që ka bërë ndaj kryetarit të PD Lulzim Basha dhe ish-oficerit të policisë Emiljano Nuhu. Ky i fundit ka pretenduar se është kërcënuar në zyrën e tij në policinë e Krujës nga deputeti i PS Rrahman Rraja në prani edhe të Taulant Ballës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat