“Forca e ligjit”, mbi 130 të arrestuar dhe 18 milionë euro të sekuestruara

Shqipëria

“Forca e ligjit”, mbi 130 të arrestuar dhe 18 milionë euro të sekuestruara

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 11:35
Fatmir Xhafaj

Në kuadër të operacionit “Forca e ligjit”, në 11 muaj në Shqipëri janë goditur 9 grupe kriminale me mbi 130 të arrestuar dhe janë sekuestruar 17-18 milionë euro vetëm nga këto grupe kriminale.

Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në konferencën e përbashkët për shtyp në përfundim të punimeve të ministerialit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për Çështjet e Brendshme të Drejtësisë, i cili u zhvillua në Tiranë.

“Krimi i organizuar ka përherë e më shumë karakter transnacional ndaj jemi bashkë në këtë ministerial. Këtu ne po flasim për shumë më tepër se një kriminel, apo një grup i tillë kriminal, me të cilët jemi futur në një luftë pa kompromis”, tha Xhafaj.

Duke u ndalur te masat e qeverisë shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar, Xhafaj tha se “në nëntor të vitit të kaluar është miratuar një plan veprimi për luftën kundër krimit të organizuar, në mbështetje të një operacioni të gjerë për goditjen e grupeve kriminale dhe konfiskimin e asete të tyre e quajtur “Forca e ligjit “”.

Synimi i këtij operacioni, sipas tij, është skanimi dhe goditja e grupeve kriminale që veprojnë në territorin e Shqipërisë apo jashtë territorit të vendit.

“Është fakt i njohur që në rreth 10- 11 muaj janë zhvilluar 19 operacione, janë goditur 9 grupe kriminale konkrete me mbi 130 arrestuar, si dhe kemi 17-18 milionë euro të sekuestruara vetëm në këto grupe kriminale”, tha Xhafaj.

Lufta kundër krimit të organizuar është një proces dhe nuk është çështje muajsh, tha ai, duke garantuar se institucionet ligjzbatuese janë të impenjuara dhe të angazhuara në këtë proces, duke bashkëpunuar me institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Xhafaj paralajmëroi goditjen e grupeve të tjera kriminale në javët në vijim, në përfundim të hetimeve nga autoritetet shqiptare. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat