Kapet duke ikur në Greqi shoku i komandos që vrau Gaxhën

Shqipëria

Kapet duke ikur në Greqi shoku i komandos që vrau Gaxhën

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 08:35
Trupi i pajetë i Fabian Gaxhës

Dyshohet se ngacmimi i Elvana Gjatës, çoi në vrasjen e Fabian Gaxhës, si dhe plagosjen e Ervis Martinajt dhe Eljo Hatos. Shpallet në kërkim të dashurin e këngëtares, Ervin Mata, komando Mevjol Bilo, si autor dhe Fabjol Alushin. Në Kakavijë arrestohet edhe një person tjetër i pranishëm në vendin e ngjarjes  

Duket se një grua ka qenë molla e sherrit, që çoi në vrasjen e Fabian Gaxhës dhe plagosjen e dy të tjerëve, dy ditë më parë në ish-Bllok. Megjithatë, kjo mund të jetë vetëm sipërfaqja e konfliktit, pasi edhe policia nuk e sqaron motivin. Burime nga prokuroria e kryeqytetit konfirmojnë se ka qenë një sherr i nisur pas ngacmimit që viktima Fabian Gaxha, i ka bërë këngëtares së njohur Elvana Gjata, në ambientet e dyqanit të rrobave, që ndodhet poshtë lokalit ku ndodhi vrasja, disa ditë para ngjarjes. Ndërkohë, policia njoftoi dje se arrestoi dy personat e plagosur, Ervis Martinajn dhe Eljo Haton i njohur edhe me emrin Esmeraldo, por që e ka ndërruar në vitin 2012, të cilët kanë qenë së bashku me Gaxhën dhe janë konfliktuar me të dashurin e Elvana Gjatës dhe miqtë e tij. Në kërkim janë shpallur 3 persona të tjerë, Ervin Mata, 31 vjeç, i dashuri i këngëtares, Fabjol Alushi, 42 vjeç dhe Mevjol Bilo, 41 vjeç i cili është dhe efektiv i Forcave Komando dhe personi që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të Gaxhës, duke e lënë atë të vdekur në vend. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Policia Kufitare e Kakavijës, ndaloi një person të shpallur në kërkim për ngjarjen në fjalë. Ai është Geldo Shpëtim Hoti dhe është ndaluar në momentin që ka tentuar të largohej nga Shqipëria. Hoti ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Moskallëzim krimi”, ndërkohë pritet të transportohet për në Tiranë ku do të kryhen veprime të tjera hetimore.

Ngjarja dhe hetimet:

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, ku sipas policisë, grupet janë përplasur fillimisht fizikisht me njëri-tjetrin, dhe më pas kanë përdorur armët, duke shkaktuar panik te personat që kanë qenë të pranishëm. Ata kanë qenë të ulur në tryeza të ndryshme, ndërsa Ervin Mata i ka kërkuar llogari Gaxhës, i cili sapo është futur në ambientet e lokalit dhe ka qenë duke iu bashkuar miqve të tij, për një ngacmim të disa ditëve më parë dhe pas kësaj, ata janë përplasur fizikisht. Ndërkohë, burime nga policia, thonë se, rreth 3 ditë më parë, këta persona janë konfliktuar edhe në një tjetër ambient, lokal, po në zonën e ish-Bllokut dhe mund të jetë edhe kjo një nga arsyet e sulmit. Por hetimet janë duke vazhduar, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes që tronditi Tiranën mbrëmjen e të enjtes. “Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha, dhe u plagosën shtetasit Ervis Martinaj, dhe Eljon Hato të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi dje policia, ndërsa shtoi se hetimet janë duke vazhduar. Pesë personat, të cilët janë implikuar në ngjarje akuzohen për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, ndërsa ende nuk është përcaktuar nga grupi hetimor, se kush ka qëlluar i pari dhe kush prej të përfshirëve në këtë vrasje, ka përdorur armë. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës, përcaktimi i roleve ka qenë i vështirë, për shkak se në ambientet e brendshme të lokalit, nuk ka pasur kamera sigurie. Në këto kushte, hetuesit kanë vëzhguar dje nëpërmjet kamerave në bizneset e tjera, hyrjet dhe daljet në orarin kur ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, Prokuroria ka marrë në pyetje dhe këngëtaren Elvana Gjata, për të zbuluar nëse ngjarja është vetëm për sherrin e çastit apo ka një prapaskenë për konflikte të mëparshme, mes dy grupeve rivale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat