Viktima dhe i plagosuri duhet të ishin në burg, shëtisnin në mes të Tiranës

Shqipëria

Viktima dhe i plagosuri duhet të ishin në burg, shëtisnin në mes të Tiranës

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 08:54
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ish-Blloku frekuentohet nga VIP-at e biznesit dhe të politikës, por edhe nga bota e krimit. Në ngjarjen që tronditi Tiranën, dy ditë më parë, ku pati një të vrarë dhe dy të plagosur, bie në sy fakti, se të paktën 3 prej personave të përfshirë në këtë histori kanë precedentë penale, ndërsa dy prej tyre, duhet të ishin pas hekurave. Viktima Fabian Gaxha dhe i plagosuri Eljon Hato, kanë pasur prej kohësh probleme me drejtësinë, i pari i shpallur në kërkim për plagosjen një personi në gusht të këtij viti dhe i dyti, është dënuar një vit më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me 4 vite burg për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”. Një vit më pas, ai është i lirë dhe pjesëmarrës në një ngjarje tjetër kriminale.

Fabian Gaxha

Viktima e përplasjes me armë dy ditë më parë, 28-vjeçari Fabian Gaxha, është person me precedentë penal, ndërsa identifikimi i tij, ditën e vrasjes u bë me vështirësi, pasi Gaxha nuk mbante me vete mjete identifikimi. Në makinë i është gjetur karta e identitetit të vëllait të tij, Rigers Gaxha. Fabiani, prej muajit gusht ishte person i shpallur në kërkim, si autor i dyshuar i plagosjes së një tjetër 28-vjeçari. Pikërisht se ishte në kërkim, shpjegojnë burimet, viktima mbante me vete kartën e vëllait duket lëvizur dhe u identifikuar me të, si një metodë që të mos binte në gjurmët e policisë. Ndërkohë, ngjarja për të cilën ishte shpallur në kërkim, ka ndodhur më 28 gusht 2018, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në rrugën “Tahsim Shehu”, ku në banesë, është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe shpatull, shtetasi Andi Spahiu, rreth 28 vjeç. Në fillim, ngjarja në fjalë nuk është bërë publike, por pas publikimit në media, policia ka dhënë njoftim se ishte duke punuar për zbardhjen e saj, ndërsa dyshohej se atentati kishte ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës, pasi të plagosurit Spahiu, iu gjet në shtëpi lëndë narkotike heroinë. Pas zbardhjes së ngjarjes, policia e Tiranës me anë të një njoftimi do të njoftonte dy muaj më parë se autor i dyshuar ishte Fabian Gaxha dhe akuzohej për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës kanë  bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale të “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, të autorit të dyshuar, shtetasit, me inicialet F.G., 28 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas më datë 28.08.2018, rreth orës 02:00, në rrugën “Tasim Shehu”, për motive të dobëta ka tentuar të vras me armë zjarri shtetasin A.S., 30 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu u arrestua për veprën penale të “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” shtetasi i plagosur 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi iu gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë narkotike të dyshuar të llojit heroinë”, njoftoi policia rreth dy muaj më parë.

 

Image
Eljon Hato

Edhe Eljon Hato, i plagosuri më rëndë nga përplasja me armë zjarri është i njohur për autoritetet në vend, e kryesisht ato në Shkodrës. Në vitin 2014, ka qenë i përfshirë në një konflikt me armë ndodhur në lokalin “Enigma”, në fshatin Zues, në Shkodër. Në këtë lokal ka shkuar i ndjeri Indrit Hylli se bashku me kushëririn e tij Ervin Hylli dhe një shokun e tij Fabian Hoxha. Në këtë lokal, me pas ka shkuar edhe shtetasi Jetmir Beqiri (Mollaj) së bashku me shokun e tij Altin Haxhi. Shtetasi Jetmir Beqiri (Molla) është kushëri me të ndjerin Indrit Hylli dhe me shtetasin Ervin Hylli. Ata janë takuar në lokal dhe kanë shkëmbyer pije me njëri-tjetrin. Në një moment, rreth orës 24.00, i ndjeri Indrit Hylli është çuar se bashku me Jetmirin dhe shokun e tyre Fabian dhe kanë filluar të kërcejnë në mes të lokalit. I ndjeri Indrit është afruar tek tavolina, ku qëndronte Elion ( Esmeraldo ) Hato së bashku me shokët e tij dhe ka marre nga tavolina e tyre një balerinë për të kërcyer me të. Në këtë moment, mes të ndjerit Indrit dhe shtetasit Sadetin Erkoceviq (Lisi), i njohur me emrin “Timi”, ka filluar një debat lidhur me balerinën, debat që ka përfunduar në përdorimin e armëve dhe Eljon Hato ka plagosur një prej personave të grupit tjetër. Për këtë vepër penale ai është amnistuar, duke u dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Image

Biznesmeni Ervis Martinaj dhe e shkuara e tij

Tjetër person me rekorde kriminale dhe që ia ka hedhur paq nga përplasja me armë, është edhe Ervis Martinaj, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda. Kujtojmë këtu konfliktin ku u vra Enton Nika në parkingun e një lokali në Linzë. Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë nga ana e prokurorisë, vrasja ka ndodhur për arsye banale. Martinaj me disa prej miqve të tij, kanë qenë duke drekuar në këtë lokal dhe në momentin e largimit kanë parë Nikën dhe pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri. Referuar hetimeve, prokuroria pretendonte se Ervis Martinaj ka vënë re shtetasin Enton Nika që po shihte nga ata, duke folur nëpër dhëmbë, që i është dukur si sharje të pandehurit Ervis. “Ai i është drejtuar të ndjerit Enton Nika duke i thënë ‘o çuni, hajde një sekondë’. Pasi janë afruar, i pandehuri Ervis i ka hedhur dorën në qafë të ndjerit Enton duke i thënë: ‘A më njeh mua, unë jam Ervis Martinaj’. Entoni i ka thënë ‘qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika dhe më largo pak atë dorën nga supi se ta këpus’”, rrëfehej nisja e konfliktit në vendim. Më tej të pandehurit janë përfshirë në konflikt fizik me ta, ku në një moment i pandehuri Emiljano Tasho ka qëlluar me një armë pistoletë, sipas tij nga pakujdesia, drejt Enton Nikës, duke e lënë të vdekur. Gjithashtu, kujtojmë se gjatë aksionit të policisë, më 20 tetor të vitit 2013, Ervis Martinaj kërcënoi shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë. Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës, kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt, ai e merr në telefon shefin e repartit, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë. Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast. Ai e ka denoncuar Ervis Martinajn për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2. Ai sapo kishte blerë rreth 400 makineri të lojërave të fatit, nga një konkurrent i tij, Elvis Doçi. Pak ditë pasi nisi operacioni “Fundi i Marrëzisë”, Elvis Doçi u vra në makinën e tij tek Komuna e Parisit. Dyshimet ranë menjëherë mbi Ervis Martinajn për shkak të makinerive, që iu sekuestruan nga policia. Mendohej se Doçi e dinte për operacionin që pritej të niste nga policia, ndaj i shiti makineritë tek Martinaj. Në atë kohë, Partia Demokratike doli me një deklaratë për shtyp, ku deputeti Genti Strazimiri tha se ministri i Brendshëm ka lidhje me ngjarjen.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat