Qarku i Korçës, fushatë informuese për marrjen e certifikatës së pronësisë

Shqipëria

Qarku i Korçës, fushatë informuese për marrjen e certifikatës së pronësisë

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 08:19
Fushata

Qeveria shqiptare po intensifikon punën dhe lehtëson procedurat për pajisjen e fermerëve me aktin e pronësisë së pronës dhe shpërndarjen e certifikatave të tokës bujqësore.

Prefekti i qarkut të Korçës, Dhori Spirollari, tha për ATSH-në se “për arritjen e objektivit të qeverisë për të pajisur me certifikata të pronësisë fermerët dhe për t’i nxitur ata për të aplikuar kemi filluar shpërndarjen e materialeve promovuese, në qarkun e Korçës”.

Sipas tij, materialet e përgatitura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë shpërndarë në Pogradec, Maliq, Pustec, Devoll dhe disa njësi Ad, Baban, Cerrave, Bucimas,etj.

“Me anë të këtyre posterave i bëhet thirrje bujqve që të të paraqiten pranë zyrave dhe bashkive që të fillojë procesi për tokat që kanë mbetur pa u ndarë, sepse ka një fond toke që bujku e punon, por nuk ka asnjë dokument ose ka dokumente jo shumë të sakta. Ndërsa ata që kanë dokumentin që quhet AMTP duhet të vazhdojnë procesin për të marrë certifikatën e pronësisë”, nënvizoi Spirollari.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme i shpërndanë këto materiale dhe i vendosëm në vende të dukshme, më pas i dorëzuam tek bashkitë, sepse dhe bashkitë janë pjesë e kësaj nisme, madje kanë rol kryesor, gjithashtu edhe në njësitë administratore, kryetarët e fshatrave dhe të gjithë institucionet që kanë të bëjnë me tokën, që nga ALUIZNI, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, hipotekat, etj.

“Qëllimi i kësaj fushate është që edhe fermeri i fundit të informohet që ky proces të mbyllet dhe ai të bëhet pronar i tokës që ka, sepse është një pasuri, pasi kur ka certifikatën mund të investojë”, tha Spirollari.

Më herët zv.ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi ka bërë të ditur se, aktualisht janë në proces shpërndarje 200 mijë certifikata nga 450 mijë në total.

“Për rreth 450 mijë akte të marrjes së tokës në pronësi që i janë dhënë fermerëve, më pak se 200 mijë janë në procesin e certifikimit”, tha Gjeçi e cila nënvizoi faktin se po bashkëpunohet ngushtësisht me të gjitha institucionet e përfshira për realizimin me sukses të këtij procesi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat