“Do të shihemi në zgjedhje”, deputeti i LSI-së: Rraja foli si zëdhënës i maxhorancës së kriminalizuar

Shqipëria

“Do të shihemi në zgjedhje”, deputeti i LSI-së: Rraja foli si zëdhënës i maxhorancës së kriminalizuar

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 14:07
Luan Rama

ëvëndës Kryetari i LSI-së, Luan Rama në mbledhjen e përbashkët të Opozitës për paraqitjen e Platformës për çlirimin e zgjedhjeve nga kriminalizimi u shpreh se reforma e vërtetë fillon nga dekriminalizimi dhe trajtimi i sistemit zgjedhor që përmes tij të mund mundësohet vlefshmëria e barabartë e votës, pavarësisht se ku voton apo për kë voton.

Për deklaratën e djalit të deputetit Socialist Rexhep Rraja, i cili u shpreh para gjykatës duke kërcënuar opozitën se do të shihemi në zgjedhje  Rama u shpreh se ai foli si zëdhënës i maxhorancës të cilën ai e ka mbështetur për t’a sjellë në pushtet dhe që maxhoranca e kriminalizuar për shkak të burimit nga një vatër kriminale e përdor këtë si mbështetje elektorale.

Fjalimi i plotë

Nuk është e rastësishme që kemi zgjedhur si temë të këtij diskutimi të sotëm pikërisht çlirimin e zgjedhjeve nga krimi, nga shitblerja e votës dhe kapja  shtetërore.

Sepse nga këtu fillon.

Pa çlirimin e zgjedhjeve nuk kanë vlerë dhe bëhen inekzistente të gjitha reformat e tjera, sepse për shkak të kriminalizimit të procesit të zgjedhjeve, fenomeni kriminal është shpërndarë si metastazë në të gjithë skemën e organizimit shtetëror.

Komisioni i ngritur posaçërisht për platformën që po prezantojmë sot natyrisht fokusohet tek prioritete që përbëjnë ofertën tonë për një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje demokratike, që do të thotë jo vetëm zgjedhje të lira, por zgjedhje të ndershme, ku vota e çdo qytetari shqiptar të marrë vlerë në raport me angazhimin dhe me përgjegjësinë që ai do të ushtrojë.

E natyrisht kjo ka 2 elementë përbërës.

Së pari, ka kohezionin brenda nesh, brenda të gjithë faktorëve dhe aktorëve të Frontit Opozitar, por ç’është më e rëndësishmja dhe mbi këtë ka në themelin e vet kohezionin me qytetarët shqiptarë, me shoqërinë shqiptare sepse është e pafalshme që 27 vjet pas zgjedhjeve të para pluraliste në këtë vend, ne të vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në Evropë me zgjedhje jo thjesht problematike, por zgjedhje të kriminalizuara që sjellin si pasojë pastaj një pushtet kriminal.

Raporti i krimit me zgjedhjet nuk është i panjohur për ne, por as për qytetarë dhe as për faktorin ndërkombëtar. Po sjell dy shembuj për të kuptuar rëndësinë që merr ky proces.

I akuzuari Rraja, djalë i një deputeti të Rilindjes, nuk foli thjeshtë dhe vetëm në emër të vet kur tha do të shihemi në zgjedhje. Ai foli si zëdhënës i maxhorancës të cilën ai e ka mbështetur për t’a sjellë në pushtet dhe që maxhoranca e kriminalizuar për shkak të burimit nga një vatër kriminale e përdor këtë si mbështetje elektorale. Dhe e patë çfarë ndodhi?

Ajo që ndodh përgjithësisht dhe që është e njohur në teoritë e kriminalogjisë.

Në përpjekje për të mbuluar një krim, kryetari i Rilindjes zbuloi krimin tjetër, kur kanosi oficerin e policisë që denoncoi një akt kriminal.

Nuk dua të hyj në detaje se çfarë është dhe kush është oficeri i policisë që bëri denoncimin, sepse nuk dua të merrem me të, qoftë edhe ashtu siç e cilëson maxhoranca atë. Presupozohet se qenka njeri me probleme. Në të gjitha sistemet e drejtësisë funksionale në botën demokratike njihet praktika që fajtori apo qoftë edhe krimineli, kur denoncon një krim merret në mbrojte nga shteti dhe bëhet aktor në luftën ndaj krimit.

Çfarë ndodhi?

Kryeministri i tha që do t’i turret këmba – këmbës, për të qeruar hesapet me atë horr!

Kush është ky që i turret këmba këmbës dhe kujt? Mbi çfarë atributesh kushtetues, ligjore, politike apo publike, flet kryeministri me këtë gjuhë?

Këtë nuk e bën prokurori, nuk e bën gjykatësi, nuk e bën funksionari i institucionit që e ka për detyrë të zbatojë ligjin në luftë ndaj krimit, sepse ndaj cilitdo personi me veprimtari kriminale ose jo, por që ka probleme me ligjin, ai që “turret” është vetëm ligji i shtetit të së drejtës.

Por le të kthehemi sërish tek krimi zgjedhor, Sepse është po ky pastaj që u drejtohet policëve, dhe i urdhëron si kreu i ekzekutivit që hiqni kapelet dhe mblodhni vota për Partinë Socialiste.

Jemi në dy ekstreme të të njëjtit segment kriminal dhe pasoja është, qeverisje kriminale në një simbiozë  midis krimit dhe qeverisjes edhe qeverisjes dhe krimit.

Në një qeverisje të lirë dhe demokratike, raporti i individit me votën është pikësëpari një raport lirie. Së dyti është raport besimi dhe së treti është raport angazhimi dhe përgjegjësie.

Të treja këto raporte jo thjeshtë janë cënuar, por janë vrarë dhe nuk ekzistojnë në shoqërinë shqiptare në marrëdhëniet e qytetarit tonë me votën, siç ekzistojnë në çdo vend të botës demokratike.

Sepse qytetari ynë nuk është i lirë të zgjedhë me votën e tij, apo të ushtrojë përgjegjësitë që ia jep Kushtetuta.

Është vrarë besimi te institucioni i votës së ndershme!

Qytetari ynë nuk mund të ushtrojë përgjegjësitë e veta në kushtet kur nuk është i lirë të votojë.

Dhe këtu fokusohet edhe thelbi i reformës që ne kemi ndërmarrë, për të bërë të mundur që të gjithë së bashku të çlirojmë zgjedhjet nga krimi.

Natyrisht ka një kronologji, të cilën po ta shikojmë me vëmendje, kuptojmë regresin që ka ndodhur.

Angazhimi i grupeve kriminale, parave të pista në fushatën zgjedhore dhe kriminalizimi i kandidaturave, është pamja reale e skanerit që ne i bëjmë asaj që është ‘de facto’ situata në Shqipëri. Por nuk është vetëm kaq, se nuk është problem kriminalizimi i kandidaturave, problemi është që këtu është kriminalizuar e gjithë struktura e organizimit dhe funksionimit shtetëror.

Nga njëra anë kemi evidentimin e këtyre njerëzve me rekorde kriminale si protagonistë, nga ana tjetër me paralizimin, kapjen politike dhe kriminale të strukturave të zbatimit të ligjit, kemi nxjerrjen jashtë funksionit e strukturave të tjera siç ndodh në Shqipëri me gjykatat, nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe gjithë të tjerat.

E të gjitha këto vijnë në përputhje me filozofinë që tha para disa ditësh vetë kryeministri, kur u shpreh se ka nevojë tha për  Gjykatë Kushtetuese, merren vendimet, i ratifikojmë vendimet në Parlament , pastaj kur të krijohet Gjykata Kushtetuese shohim e bëjmë.

Papërgjegjshmëri më flagrante nuk mund të ketë sesa kjo qasje dhe kjo sjellje, e cila në fakt shprehet në mënyrë të sintetizuar e gjithë filozofia kriminale e qeverisjes.

Pastaj, shitblerja e votës, prania dhe presioni i kriminelëve në qendrat e votimit, pazari me letërnjoftimet, me vendet e punës etj, janë fenomene shqiptare për fat të keq, të cilat të gjithë ne i dimë, i njohim shumë mirë dhe sa herë që bëhen zgjedhje, shoqërohen këto të dokumentuara dhe në raporte të OSBE/ODHIR-it edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, por ajo çfarë është shqetësuese reflektohet në mungesën e dëshirës dhe të vullnetit, për t’i përmirësuar dhe për t’i bërë të zbatueshme, rekomandimet e OSBE/ODHIR-it.

Ajo që ne duhet të bëjmë dhe ku duhet të fokusohemi është asnjë hap më tej pa dekriminalizuar zgjedhjet. Asnjë hap më tej pa dhënë garanci, që qytetarët shqiptarë të kuptojnë që këtu nuk është interesi i opozitës por është interesi i shoqërisë shqiptare, i qytetarëve shqiptar dhe i të ardhmes së tyre, që ky vend të mos jetë njolla e zezë, apo njolla e turpit në Evropë, me zgjedhje të vjedhura dhe të kriminalizuara.

Nuk është pra çështja e Reformës Zgjedhore të radhës,  e cila në fakt për mënyrën sesi ka ardhur deri këtu, nuk mendoj se do të mund të ndryshojë nga reformat pararendëse, por është çështja sesi do të bëjmë të mundur që të jetësojmë dhe të vitalizojmë sistemin e demokracisë zgjedhore.

Kjo do të thotë se do të na duhet një përmbysje e madhe, për të ndërtuar një sistem të ri politik, që lind dhe ngrihet prej një sistemi zgjedhor përfaqësues, të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë.

Pra reforma e vërtetë fillon nga dekriminalizimi dhe trajtimi i sistemit zgjedhor që përmes tij të mund mundësohet vlefshmëria e barabartë e votës, pavarësisht se ku voton apo për kë voton. Sistemi politik në vend është i kalbur  dhe kërkon reformë të thellë. Kjo reformë e sistemit politik fillon nga zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat