“Kur do të paguhemi”, si u përgjua “Babalja” me kunatin

Shqipëria

“Kur do të paguhemi”, si u përgjua “Babalja” me kunatin

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 18:19
Albert Veliu

Një përgjim bisede mes Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti teksa bisedonin për pazaret e audiopërgjimit, është prova më e fortë e Prokurorisë për hetimet e nisura për rastin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Burimet thonë se në bisedën e përgjuar, Alizoti e pyet në telefon “Babalen” se kur do paguhen. Ndonëse ekspertiza e audio-përgjimit e kryer në laboratorin anglez ende nuk është e qartë se çfarë ka përcaktuar, sërish edhe kjo sipas Prokurorisë tregon se gjithçka ishte një inskenim.

Pasi Gjykata firmosi urdhër-arrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Albert Veliun dhe kunatin e tij, Fredi Alizotin, Policia ekzekutoi vetëm një nga këto urdhra, duke arrestuar Alizotin.

Ndërsa për “Babalen”, ende nuk është arritur të ekzekutohet vendimi i Gjykatës, për arsye se ai ndodhet në Kosovë. Burime nga Policia thanë për "Panorama" se kanë nisur procedurat me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të bëhet e mundur kthimi i tij në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim konkret. Sa i përket gazetarit Jetmir Olldashi, Gjykata ka vendosur detyrim paraqitjeje, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pikë e fortë referuese e Prokurorisë për rastin në fjalë ka qenë ekspertiza e britanikëve, të cilët përmes një letërporosie të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, thoshin se audio-përgjimi i sekuestruar nga Prokuroria nuk ishte autentik.

Gjithashtu, zëri në audio-përgjim, që pretendohej se i përkiste Agron Xhafajt, nuk mund të konfirmohej se ishte i tij, pasi cilësia ishte shumë e dobët. Madje, britanikët flasin për dy zëra të ndryshëm në audio- përgjim, në rolin e Agron Xhafajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda pati vënë në përgjim Fredi Alizotin dhe Albert Veliun për rastin në fjalë. Gjatë gjithë kësaj kohe, është mundur të zbulohet nga bisedat telefonike të këtyre të fundit se audiopërgjimi nuk ishte gjë tjetër vetëm se një inskenim dhe se rolin e Agron Xhafajt e ka luajtur në bisedë shtetasi Fredi Alizoti, që është edhe kunati i Albert Veliut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat