Çfarë do ndodhë me personat që mbeten pa punë pas mbylljes së kazinove dhe basteve sportive!

Shqipëria

Çfarë do ndodhë me personat që mbeten pa punë pas mbylljes së kazinove dhe basteve sportive!

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 13:26
Arben Ahmetaj

Qeveria tashmë e ka përcjellë me ligj zhvendosjen e lojërave të fatit jashtë qendrave të banuara, një vendim që ndër të tjera do të sjellë detyrimisht një numër të madh të papunësh, duke patur parasysh se kjo industri punëson mijëra shqiptarë.

Dhe në një vend ku qeveritë premtojnë qindra mijëra vende pune dhe bëjnë shumë pak, rasti i largimit më 1 janar të lojërave të fatit është një vendim pozitiv, por me kosto jo të vogla, rritjen e mëtejshme të papunësisë.

Por duket se qeveria e majtë e ka marrë në konsideratë dhe këtë pasojë të “rrezikshme”. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ahmetaj është shprehur këtë të enjte në parlament se pas zhvendosjes së pikave të basteve e kazinove, qeveria merr përsipër që të kryejë një program rikualifikimi për ata që do të mbeten të papunë.

Një premtim mjaft ambicioz në kushtet kur qeveria jo vetëm po largon nga buxheti disa milionë euro taksa që u merr këtyre bizneseve, por edhe po merr në konsideratë efektet e veprimit të saj.

“Ne jemi duke përgatitur një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga të gjithë shërbimet në lidhje me këtë industri.  Pra Shërbimi Kombëtar i Punës, menjëherë me materializimin e propozimit të kryeministrit për mbylljen e pikave të basteve ka filluar punën për hartimin e një programi specifik për rikualifikim të detyrueshëm. Vitin tjetër ne fillojmë një fushatë të plotë rikualifikimi për të gjithë të papunët e regjistruar….Dhe ndër këta, do të dyfishojmë numrin e të kualifikuarve me profesione që nga graphic design, ku meqë platforma e punës është kompjuterike edhe tek bastet, pjesa e atyre që dalin të papunë nga bastet kanë mundësi të rikualifikohen më tej dhe të gjejnë vend punë në industritë e tjera”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj është kujdesur të ulë “madhësinë” e këtyre efekteve negative duke thënë se largimi i pikave të llotove e kazinove është kthyer në emergjencë kombëtare... një emergjencë që qeveria kishte kohë më shumë se 5 vjet për ta sistemuar, por që kurrë nuk e bëri.

Kujtojmë se janë 4 mijë pika bastesh që pritet të largohen dhe ky numër do të sjellë një shifër të lartë të papunësh. Mbetet për t’u parë nëse qeveria do të mbajë premtimin, pasi shpesh herë historia ka treguar se vendimi politik i drejtë mbi një fenomen, por i sjellë në mënyrë populiste, mund të çojë në një bilanc negativ... ku më shumë humbin shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat