Kokëdhima, OSBE-së: Duhet depolitizim i administratës zgjedhore dhe barazi e subjekteve

Shqipëria

Kokëdhima, OSBE-së: Duhet depolitizim i administratës zgjedhore dhe barazi e subjekteve

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 07:49
Koço Kokëdhima

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, takim pune me ambasadorin e Prezenzës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Kërkesat në emër të partive joparlamentare për reformën zgjedhore dhe ndihmën që duhet të japë OSBE për zgjedhje të lira dhe të barabarta

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima dhe njëherësh bashkëkryetar i tryezës së partive të reja dhe joparlamentare zhvilloi dje, në mesditë një takim me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Në takimin e punës të mbajtur në selinë e OSBE-së në Tiranë u diskutua për propozimet e tryezës së 30 partive joparlamentare dhe të shoqërisë civile për reformën zgjedhore që duhet të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Kokëdhima, parashtroi në emër të tryezës së partive joparlamentare kërkesat për një reformë të thellë, të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira dhe të barabarta. Sipas tij, kjo duhet të fillojë nga depolitizimi i KQZ-së deri te barazia e subjekteve politike në procesin zgjedhor dhe administrimin e zgjedhjeve.

Borchardt e vlerësoi takimin me Kokëdhima dhe argumentet që ai parashtroi, duke siguruar se OSBE-ja do të kërkojë deri në fund zbatimin e rekomandimeve që janë dhënë nga OSBE/ODIHR-i, pas tri proceseve zgjedhjeve të fundit që janë mbajtur në Shqipëri.

Fjala e Kokëdhimës

“Ne diskutuam pak javë më parë, në tryezën e partive joparlamentare. Prezantuam idetë për reformën zgjedhore dhe iu drejtuam me një letër OSBE-së dhe ambasadës së BE-së në Tiranë. Ne dëshirojmë që edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë t’u paraqesim sërish Juve, në mënyrë shumë të përmbledhur, shqetësimin që kemi për këtë proces.

Ne besojmë që Shqipëria ka probleme të mëdha me zgjedhjet. Nuk ka zgjedhje të lira dhe të barabarta. Në vend të zgjedhjeve të lira, në vend të sundimit të ligjit, në Shqipëri sundon marrëveshja PS-PD. Ato kanë zëvendësuar praktikisht institucionet demokratike të një republike. Rekomandimi kryesor i OSBE/ODIDR-it, sipas nesh, prej të cilit varet çlirimi i zgjedhjeve, është depolitizimi i tyre. Projekti i dy partive të mëdha dhe përpjekja e tyre është, në marrëveshje të plotë, për të mos lejuar depolitizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Edhe në projektin që ato kanë paraqitur thonë se do të depolitizohen komisionet e qendrave të votimit, por do të ngelet bipartizan Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Praktikisht kjo është një farsë. Ne na nevojitet një depolitizim i plotë i administratës zgjedhore. Në krye të procesit zgjedhor duhet të jetë një individ ose një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partitë. PS dhe PD thonë sot se KQZ-ja jonë, që është siç ka qenë, do të drejtojë dhe administrojë zgjedhjet, do të marrë vendimet deçizive për zgjedhjet, do të licensojë dhe kualifikojë anëtarët e komisioneve të tjera, me këtë skemë bipartizane. Ndërkohë që trupa që do të administrojë zgjedhjet nuk duhet t’i nënshtrohet një selektimi nga ky komision partizan, por mund të jetë një trupë që vjen për shkak të një cilësie si p.sh., punonjësit e bankave, profesorët e universiteteve, studentët ekselentë të drejtësisë, pa një kushtëzim të një komisioni bipartizan siç është KQZ-ja.

Unë besoj se ju keni mjaft informacion, por në mënyrë shumë të sinqertë unë dëshiroj që t’u vë në dijeni përvojën time të kufizuar që kam në zgjedhje. Unë gjithë jetën kam punuar në biznes dhe kam qenë deputet i PS-së 30 muaj në jug të Shqipërisë. Unë mund t’u them me shumë përgjegjësi se të dyja partitë vjedhin dhe manipulojnë në mënyrë të vetëdijshme dhe të planifikuar zgjedhjet, në çdo nivel. Këtë e bëjnë edhe me KQZ-në dhe përmes kontrollit politik. Ne kemi patur rastin në Jug të Shqipërisë, kur në dy qendra votimi u manipuluan kutitë e votimit në procesin e transportit, u mbushën jashtë vullnetit të komisionerëve dhe ZAZ-të i nxorën të pavlefshme. Drejtuesi i PS-së urdhëroi KQZ-në dhe i numëruan ato vota të vëna në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Ky është një proces që ndodh kudo. Duhet bërë çlirimi i zgjedhjeve nga një administratë partiake dhe administrimi i tyre të bëhet nga njerëz që kanë vlera dhe jo nga militantë, që nuk kanë ndonjë vlerë, por nga njerëz me vlera, që janë në punë e që janë të shkolluar. Nuk do të ketë ndonjë gjë të përsosur, por do të ketë një progres të madh drejt rritjes së integritetit të zgjedhjeve. Ky është ndryshimi i parë thelbësor dhe i rëndësishëm.

Shkëlqesi ambasador. Dua gjithashtu t’ju shpreh Ju pikëpamjen e tryezës sonë se PS dhe PD nuk kanë vullnet për ta bërë këtë dhe po të jetë me hir këta nuk e bëjnë depolitizimin e zgjedhjeve. Por ka një rrethanë të favorshme. mendojmë ne: vëmendja që ka Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian ndaj reformës zgjedhore në Shqipëri. Ne besojmë se roli Juaj është shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm në këtë proces. Ne vlerësojmë gjithashtu faktin që ju gjithashtu i keni kushtuar çështjes shqiptare vite të gjata të shërbimit tuaj, për me shumë se një dekadë, për çështjet e shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ne besojmë se edhe raporti juaj mund të ndikojë shumë që t’u bëhet e qartë partive politike që kanë marrë peng institucionet e shtetit shqiptar, se nuk do të lejohet që farsa që ato po përpiqen të bëjnë të shitet si reformë zgjedhore përpara Bashkimit Europian. Ato mendojnë se mund t’i mashtrojnë vendet tona partnere, sepse e kanë arritur këtë shumë herë në të shkuarën dhe pavarësisht se seicila lufton për pushtetin e vet, marrëveshja e tyre është e qartë që të mos ketë progres real në demokracinë e Shqipërisë. Përkundrazi të jetë thjeshtë një manovër që do t’i zgjasë jetën një elite të kalbur politike, e cila s’mund të përtërihet përmes zgjedhjeve.

Çështja e dytë me rëndësi, që ne mendojmë është problemi i numërimit të votave dhe nuk e kam fjalën këtu për teknologjinë. E kam fjalën për standardet e zgjedhjeve. Tryeza jonë asnjëherë nuk e ka vendosur theksin te teknologjia edhe pse ne jemi të hapur që të bëhet teknologjia për të reduktuar numrin e njerëzve që merren me administrimin  e zgjedhjeve. Duke reduktuar numrin e njerëzve, ne kemi mundësinë që të rritim cilësinë e tyre që të jenë njerëz me aftësi, me punësim dhe me integritet. Nuk besoj se ka shembuj të tjerë që kutitë e votimit të transportohen të panumëruara. Kutitë e votimit duhet të numërohen në qendrat e votimit. Atje ku mbushen kutitë, si mund të mos kemi besim për t’i numëruar, por kemi besim për t’i mbushur me vota? Nëse administrata zgjedhore është apartiake, duhet t’i besohet patjetër numërimi i votave në qendrat e votimit. Bëhet elektronik apo manual numërimi, për ne nuk është thelbësore, edhe pse teknologjia mund të ndihmojë.

Çështja e tretë, që është shumë parimore për ne është raporti i partive të reja dhe joparlamentare me procesin zgjedhor dhe administratën. Me shumë të drejtë, edhe në të shkuarën, OSBE-ja ka kërkuar që zgjedhjet të mos prodhojnë diskriminim për askënd dhe në rastin konkret, pa kontributin e organizmave ndërkombëtare, veçanërisht të OSBE/ODIHR-it, nuk mund të hiqen pengesat artificiale mbi partitë e reja dhe joparlamentare dhe nuk mund të bëhen zgjedhje të barabarta. Përkufizimi cilësor i Kushtetutës së Shqipërisë për zgjedhjet ka dy fjalë: të lira dhe të barabarta. Ka dhe dy fjalë të tjera që janë periodike dhe të përgjithshme, por për to nuk ka askush diskutim. Në Shqipëri është cenuar qartësisht dhe ka diskriminim në të drejtat e partive të reja dhe joparlamentare gjatë zgjedhjeve, që lidhen si me sistemin zgjedhor dhe me administrimin e zgjedhjeve. Dy partitë e mëdha bëjnë një proces shumë të thjeshtë: votat e partive të tjera i ndajnë me marrëveshje në tavolinë. Janë 100 vota, 50 ti dhe 50 unë. Ky proces nuk ka lidhje me sasinë e votave që përvetësohen, por me shkatërrimin e besimit te sistemi zgjedhor. Partive, më shumë se numri i votave që u marrin partive të tjera, u intereson që të dekurajojnë çdo iniciativë elektorale të subjekteve dhe të individëve të tjerë. Nëse kjo reformë do të kishte një fjalë të dytë kyçe të rëndësishme, do të ishte depolitizimi dhe barazia e subjekteve. Nëse zgjedhjet s’janë të barabarta dhe nuk administrohen në mënyrë të besueshme si mund të kenë kurajon të investojnë ndividët e mirë të Shqipërisë për t’u përfshirë në politikë dhe në zgjedhje? Si mund të përtërihet kjo elitë? Kurrë Shqipëria s’do të jetë një partner i vlerave europiane. Vlerat europiane në Shqipëri do të fillojnë nga zgjedhjet, nga reformimi i vërtetë i zgjedhjeve.

Së fundi. Të gjitha përkufizimet e tjera, si për teknologjitë, si për financimet, transperencën dhe procedurat duhen bërë në funksion të integritetit të zgjedhjeve dhe jo në funksion të forcimit të pushtetit të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike për t’i kontrolluar akoma edhe më shumë zgjedhjet. Sot ne konstatojmë që të gjitha masat ato i parashikojnë për të rirestauruar kontrollin e tyre mbi zgjedhjet dhe eliminimin e çdo lloj konkurence në fushën e zgjedhjeve. Shqipëria nuk duhet të bëjë mbirregullime speciale për zgjedhjet. Ajo duhet të bëjë një sistem zgjedhor të thjeshtë, sipas rregullave dhe standardeve, siç i bëjnë të gjitha vendet demokratike. Ne bëjmë rregullime speciale që nuk i bën asnjë vend tjetër, të cilat në analizë të fundit shkojnë drejt kontrollit të dy partive mbi zgjedhjet dhe nuk shkojnë në rritjen e besimit të popullit te procesi zgjedhor, as të transparencës dhe as të çlirimit të tij nga paratë e krimit dhe të korrupsionit. Në këtë kuadër tryeza e partive tona dhe shumë individë e grupime të shoqërisë civile dëshirojnë që të jenë të përfshira në procesin e reformimit të zgjedhjeve. Ne kemi dëgjuar me kënaqësi rekomandimin e vazhdueshëm të OSBE/ODIHR-it, por edhe të përfaqësuesve të tjerë të vendeve partnere të Bashkimit Europian në Shqipërisë që procesi i hartimit të reformës zgjedhore në Shqipëri të jetë gjithëpërfshirës. Në të vërtetë është shumë i kujdesshëm që të jetë shumë përjashtues dhe jo gjithëpërfshirës. Hera e parë që bëhet një tryezë ku na jepet mundësia që të flasim për reformën zgjedhore ishte takimi i dy ditëve më parë dhe ne mendojmë se gjithëpërfshirja duhet të jetë një institucion i monitoruar dhe një standard i procesit të reformës zgjedhore. Minimalisht ne duhet të kemi të drejtë që të prezantojmë propozimet dhe idetë në çdo seancë të komisionit që bën hartimin dhe debatin për reformën zgjedhore. Nuk po shkoj më tutje që kjo pala tjetër të ketë votë në këtë komision, por minimalisht duhet të ketë prezencë të vazhdueshme institucionale, të monitoruar ndërkombëtarisht për të prezantuar gjithë opinionet që kemi për këtë çështje.

Ne nuk kemi besim që ky parlament dhe këto parti mund të bëjnë një reformë zgjedhore, por ne besojmë që ky moment i kushtëzimit të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në është një moment shumë i lartë presioni mbi këtë elitë politike, mbi këtë parlament. Nëse ky lloj presioni do të jetë i kombinuar me transparencë dhe me gjithëpërfshirjen e të gjithë faktorëve të brendshëm, ne mund të bëjmë një reformë historike dhe të zgjidhim përfundimisht çështjen e zgjedhjeve të Shqipërisë. Unë ju lutem Juve personalisht që të ushtroni të gjithë ndikimin tuaj për të mos bërë “një hap përpara” përmes kësaj reforme por të zgjidhim përfundimisht çështjen e zgjedhjeve ne Shqipëri. Nuk ka një kohë tjetër për ta zgjidhur këtë problem. Nëse Shqipëria nuk e zgjidh këtë çështje ne besojmë që situata e saj do të vështirësohet akoma më shumë, ekonomia do të degradojë më shumë dhe stabiliteti i Shqipërisë nuk do të jetë i dëshiruari dhe nuk do të krijojë këtu kushtet për një zhvillim të mirë ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat