Princi i Monakos për herë të parë në Tiranë. Meta: Të nxisim bashkëpunimin

Shqipëria

Princi i Monakos për herë të parë në Tiranë. Meta: Të nxisim bashkëpunimin

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 13:00
Princi i Monakos Alberti II dhe Ilir Meta

Princi i Monakos Alberti II është pritur me ceremoni shtetërore, në vizitën e parë e një monarku të Principatës, nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Albert II po zhvillon një vizitë shtetërore në vendin tonë.

Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert i II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert i II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Fondacioni Princit të Monakos dhe Shoqata për financim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, po i japin strukturave dhe shoqatave përgjegjëse shqiptare për mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura detare shqiptare.

Të dy Krerët e Shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.

Në fund të bisedimeve zyrtare, në praninë e të dy Krerëve të Shteteve, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”.

Në takim të pranishëm nga pala e Principatës së Monakos ishin: Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin e Monakos, Sh.T.Z. Gilles Tonelli dhe Ministri Fuqiplotë dhe Administratori i deleguar i Fondacionit Princ Albert i II i Monakos, Sh.T.Z. Bernard Fautrier. Ndërsa nga pala jonë ishin të pranishëm: Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sh.T.Z. Ditmir Bushati dhe Ministri për Turizmin dhe Ambientin, Z. Blendi Klosi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat