Meta i akordon balerinit Eno Peçi titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” - Bota Sot
Meta i akordon balerinit Eno Peçi titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Shqipëria

Meta i akordon balerinit Eno Peçi titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 10:01
Ilir Meta dhe Eno Peçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në nisje të vizitës së tij zyrtare në Austri, vlerësoi balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: "Në vlerësim të kontributit të dhënë si ambasador i kulturës shqiptare në skenat austriake dhe ato botërore”.

Në ceremoninë e dekorimit, që u zhvillua në Vjenë, ishin të pranishëm Ambasadori i Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Austrisë e personalitete të artit. 

Në fillim të veprimtarisë, u shfaq për të pranishmit një film dokumentar për Eno Peçin, i realizuar nga producenti Gjergj Mazi e më pas Presidenti Meta mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh: 

“Është vërtetë kënaqësi të jem me ju në këtë mbrëmje dhe më lejoni fillimisht të përgëzoj producentin e filmit Gjergj Mazi dhe balerinin Eno Peçi për momentet e mrekullueshme që na kanë sjellë përmes filmit “Solisti”.

Duke parë filmin, mësuam më shumë për jetën dhe karrierën artistike të z. Peçi, si një balerin i talentuar solist dhe koreograf i talentuar.

Ndihem krenar dhe i lumtur që ai është i admiruar dhe i duartrokitur këtu në Austri dhe në shumë skena prestigjioze botërore.

Mund të them se ai u rrit artistikisht këtu në Austri, duke ndjekur traditën më të mirë të poetëve, gjuhëtarëve dhe artistëve të shquar shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore dhe më tej pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ‘90.

Në këtë drejtim, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë për mbështetjen e këtij aktiviteti dhe gjithashtu shpreh vlerësimin tim për bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vjenë gjatë këtij viti të veçantë.

Nën drejtimin e spikatur të Ministres së Punëve të Jashtme të Austrisë, zonjës Kneissl, të cilën pata rastin ta takoj në Tiranë disa ditë më parë, ky vit vjen me moton: “Të rizbulojmë të përbashkët tona / (Gemeinsames neuentdecken)” si Viti Kulturor Austri-Shqipëri 2018!

Kjo është një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë.

Shumë veprimtari kulturore dhe shoqërore janë organizuar dhe po zhvillohen ende, si në Austri ashtu dhe në Shqipëri, gjatë gjithë vitit, duke dëshmuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë historikisht midis dy vendeve.

Më lejoni të theksoj se ky vit ka gjithashtu një domethënie të veçantë për shqiptarët në mbarë botën, duke përfshirë edhe ata që jetojnë, punojnë ose interpretojnë artin në Austri.

Këtë vit ne shqiptarët përkujtojmë Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili luftoi kundër osmanëve për 25 vjet me radhë dhe mbrojti me trimëri vendin dhe Evropën. Për kontributin e tij, Papa Callixtus III, në shekullin e 15-të, e quajti Skënderbeun si Atleti i Krishtit.

Të dashur bashkatdhetarë dhe miq të dashur të Shqipërisë,

Dëshiroj gjithashtu ta shfrytëzoj këtë mundësi të mrekullueshme për t’i shprehur zyrtarisht z.Peçi vlerësimin tim për arritjet në karrierë, duke u ngjitur deri në majat e kërcimit klasik.

Në shenjë mirënjohjeje për talentin e tij të spikatur dhe kontributin e tij si ambasador i shkëlqyer i imazhit të Shqipërisë në Austri dhe nëpër botë, unë kam nderin t’i akordoj atij këtë mbrëmje një nga titujt më të lartë të Shqipërisë, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Unë jam i sigurt se zoti Peçi do të vazhdojë të mahnisë dhe të na befasojë me performancën e tij të shkëlqyer si balerin edhe në të ardhmen. Dhe ne shqiptarët do të jemi shumë krenarë që kemi një artist të tillë të klasit botëror. 
Faleminderit!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...