Kontroll bizneseve pasive. Në sitë nga tatimet për fshehje taksash

Shqipëria

Kontroll bizneseve pasive. Në sitë nga tatimet për fshehje taksash

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 15:40
Ilustrim

Bizneset e deklaruara si pasive në tatime, por që në të vërtetë vazhdojnë aktivitetin, do të kalojnë në vlerësim tatimor nga zyra.

Administrata tatimore thotë se ka identifikuar të gjitha subjektet, të cilat edhe pse deklarohen si pasive, nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre.

Gjergji Duro, drejtor i riskut te Tatimet, thotë: “Kategoria e tatimpaguesve që rezultojnë me importe në dogana, por me status pasiv, për ata, bazuar në importe, do të llogaritet detyrimi tatimor”.

Veç subjekteve pasive, vlerësimit tatimor nga zyra do t’i nënshtrohen edhe ato biznese që kanë bërë blerje ose shitje tek kjo kategori biznesesh.

“Këtyre tatimpaguesve nuk u njihet TVSH-ja e kreditueshme në blerje, ndërsa për ata që janë shitës pasivë, menjëherë kalojnë në status aktiv dhe llogariten si shitjet e kryera dhe llogariten detyrimet përkatëse”, shpjegon Duro.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Shqipëria ka 114 mijë biznese në status pasiv me aktivitet të pezulluar. Ky numër është krijuar në vite, ndërkohë që në 9 muajt e parë të këtij viti numri i bizneseve të kaluara në status pasiv ishte 11 mijë e 292 subjekte ose 62% më shumë se e njëta periudhë e vitit të kaluar.

Ky fenomen ka qenë edhe një temë e nxehtë e debatit politik. Opozita ka akuzuar qeverinë se shifra e lartë e bizneseve që dalin në pasiv është dëshmi e krizës ekonomike, por qeveria thotë se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve kalojnë në pasiv për të shmangur taksat, ndërkohë që në total numri i bizneseve në vend është rritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat