Partia Socialiste shkarkon 11 kryetarë. Vendimi i kryesisë, pas kritikave të Ramës për drejtuesit lokalë

Shqipëria

Partia Socialiste shkarkon 11 kryetarë. Vendimi i kryesisë, pas kritikave të Ramës për drejtuesit lokalë

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 18:44
Selia e PS

Në 8:30 të mëngjesit të së martës, Edi Rama mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste në selinë qendrore të kësaj force politike, ku për shkak të punimeve në godinë dhe sheshin përreth, socialistët kishin kohë që mungonin.

Në hyrje e priste Erion Veliaj, që duket se kishte diçka për t’i shpjeguar mbi punimet.

Për 1 orë e 30 minuta, kryesocialisti Rama shprehu pakënaqësinë në lidhje me drejtuesit lokalë të PS-së, jo vetëm ata të degëve të partisë, por edhe njerëzit që menaxhojnë pushtetin vendor. Në përfundim, ishte zëdhënësja e Kryesisë socialiste ajo që njoftoi vendimin drastik për shkarkimin e krerëve të 11 degëve.

“Në mbledhjen e sotme të kryesisë u shkarkuan 11 kryetarë socialistë. Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë, në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale”, tha Spiropali.

Rama mësohet se është ankuar për neglizhencën e socialistëve që menaxhojnë pushtetin vendor, duke kërkuar nga drejtuesit politik të çdo qarku që të analizojë veprimtarinë e drejtorëve lokalë.

“Vihet re një shkëputje nga disa territore. Drejtuesve politikë u është kërkuar që të rrisin prezencën në territor dhe në qarqet që mbulojnë, sidomos në bashkitë që drejtohen nga opozita, ku vihet re një degradim i madh i marrëdhënies së pushtetit lokal me qytetarët”, shtoi Spiropali.

Pak pas kësaj deklarate të Spiropalit, socialistët filluan të kontaktojnë gazetarët duke shpjeguar se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se kryesia nuk kishte vendosur shkarkimin, por propozimin për shkarkimin e tyre pasi të zhvillohej një reflektim më i gjerë.

Zëdhënësi i kësaj “prapakthehu” pritej të bëhej vetë numri dy i PS-së, por duket se Taulant Balla e kuptoi se tashmë ishte vonë, pasi lajmi ishte përhapur: “Kryesia e Partisë Socialiste mblidhet çdo javë, analizon punën në çdo nivel të organizimit të saj dhe janë çështje të brendshme”.

Ndërkohë, anëtarët e kryesisë socialiste u urdhëruan të mbyllnin gojën me gazetarët, por Top Channel mësoi se në vendimin fillestar të shkarkimeve përfshihen edhe krerët e disa degëve si Memaliaj, Cërriku, Delvina dhe Selenica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat