Pas arrestimeve të bujshme, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantuan drejtorin e Ri të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçori.
Në ceremoninë e prezantimit, para drejtorëve të policisë së Burgjeve në rrethe, Rama foli për një vendim të ri të qeverisë sa i përket sigurisë në burgje. Ai paralajmëroi ndëshkime të ashpra ndaj atyre zyrtarëve që bashkëpunojnë me kriminelët.
Rama: Kush bashkëpunon për çdo arsye me elementët kriminalë për vuajtjen e dënimit, duke vënë në pikëpyetje institucionin, do të ndëshkohet pa asnjë rezervë. Rregullorja do të jetë precize dhe do ketë kamera 24 orë, duke filluar që nga burgu 313 e më pas në të 24 institucionet e tjera. Kamerat nuk do shihen vetëm nga Drejtoria e Burgjeve por dhe Operacioni “Forca e Ligjit”, pra do ketë dy salla monitoruese 24 orë, që askush mos fshihet nga batanija që i hedh kamerave”
Kryeministri tha se në sistemin shtetëror të vuajtjes së dënimit, nuk do të jetë më qiradhënës e qiramarrës, për të shmangur raste të tilla si ajo që dentist në vend të mbushë dhëmbë, mbush me drogë e celularë të burgosurit. Kryeministri bëri edhe humor me drejtorin e ri të Policisë së Burgjeve, të cilit i kërkoi që kokëfortësinë që nuk e ka shkruan në CV ta ushtrojë në detyrë.
Rama: Është e vështirë të kërkosh opinione për njerëz, dhe të marrësh opinione të njëjta. Në rastin e drejtorit, morëm të njëjtat gjëra. Kam dëgjuar oficerë policie që s’shajnë njëri-tjetrin, por përkundrazi kanë thënë fjalët më të mira. Uroj që këto fjalë të mos na dalin në ndonjë kronikë, e drejtori të mos na dalë se s’ishte ai i duhuri. Me mend në kokë dhe sillu njësoj sikur je me uniformë.
Teksa foli për punësimet në burgje, Kryeministri Rama tha se rreth 66 punonjës janë referuar në prokurori.