'Shtetëzohen' kafenetë dhe baret e burgjeve, Rama: pronarët janë të lidhur me krimin

Shqipëria

'Shtetëzohen' kafenetë dhe baret e burgjeve, Rama: pronarët janë të lidhur me krimin

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 08:58
Edi Rama

Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Policisë së Burgjevem kreu i Qeverisë, Edi Rama, ka njoftuar mbylljen përfundimtare të kafeneve dhe bareve në burgje, sepse sipas tij, janë kthyer në qendra shpërndarjeje celularësh dhe droge. Ato do të zëvendësohen me sistemin katering.

"Ministria e Drejtësisë, - tha Rama, - do të sigurojë falë dhe bashkëpunimit me Drejtorin e ri të Përgjithshëm dhe drejtorin e sapo zgjedhur të Policisë së Burgjeve, mbylljen përfundimtare të të gjithë llojeve të kafeneve, bareve, klubeve të administruar nga persona të jashtëm, të cilët janë qartësisht të lidhur me krimin e organizuar në një pjesë të rasteve dhe hera-herës është vënë re në të shkuarën, i kanë kthyer këto bare, këto kafene, këto klube, në qendra grumbullimi dhe shpërndarjeje të celularëve apo dhe më keq akoma, të lëndëve narkotike.

Të gjitha do mbyllen dhe gjithçka e kësaj natyre, çdo shërbim i brendshëm do të administrohet drejtpërdrejtë nga sistemi shtetëror i institucioneve të vuajtjes së dënimit. Nuk ka më qiramarrës, nuk ka më qiradhënës. Do të ndërtohet një sistem i brendshëm shërbimi, me një shërbim katering nga jashtë, tërësisht të kontrolluar, tërësisht jashtë sistemit. Përgjegjës për çfarë hyn në çdo klub do të jetë Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e institucioneve. Nuk ka më “delegoje përgjegjësinë” tek qiramarrësi, apo deri dhe tek dentistë që bëjnë sikur mbushin dhëmbë dhe në fakt mbushin xhepat e pseudopacientëve me lëndë narkotike, apo me telefona celularë."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat