Basha në Kosmaç: Fermerët, të braktisur nga shteti

Shqipëria

Basha në Kosmaç: Fermerët, të braktisur nga shteti

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 13:03
Lulzim Basha

“Fermerët janë braktisur nga shteti për sa i përket investimeve, ne do të investojmë 100 milion euro që vitin e parë të qeverisjes”, tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në takim e zhvilluar sot me fermerët e fshatit Kosmaç, bashkia e Vaut të Dejës.

Në bashkëbisedim me banorët, Basha dëgjoi problematikat e banorëve të zonës në fshatin Kosmaç.

Një banor i zonës shprehet se fshati Kosmaç përbëhet nga 2500 banorë që kultivojnë perime që i tregtojnë në Shkodër, Velipojë dhe Lezhë. Rruga është e lidhur me aksin kryesor dhe zbut problemin për sa i përket transportit.

“Kushtet klimaterike të favorshme, terreni i favorshëm, kultura e punës e mirë, prodhimet të bollshme por ka dy probleme”, tha Basha. “Së pari, nuk ka mbështetje financiare nga shteti dhe problemi i dytë është suksesi në treg jo vetëm nuk ndihmohet po pengohet nga mungesa e vëmendjes së shtetit”, theksoi ai.

Po ashtu, Basha tha se kështu siç është gjendja vendi po shkon në greminë, Shqipëria nuk mund ta mbajë këtë zgjedhë që, sipas tij, i ka vënë qeveria.

“A dëgjuat për koncesionin e rrugës Milot-Balldren, kostoja është baraz me investimin 2 vjeçar të investimeve publike në të gjithë Shqipërinë. Ne do ta ndalim menjëherë dhe të gjitha këto koncesione do t’i nënshtrohen një shqyrtimi sipas ligjit anti-mafia. Paratë e marra në mënyrë të padrejtë do sekuestrohen e kthehen publikut”, tha Basha.

Në fund, Basha u tha banorëve se ne do të investojmë 100 milionë euro vetëm vitin e parë të qeverisjes. Këtij buxheti do t’i shtohen, sipas tij, dhe investime të tjera për zinxhirin e prodhimit dhe të tregtimit. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat