“Xhisiela”, Rexhep Rraja del me kërkesë para nisjes së hetimit. Dosja përmban si provë…

Shqipëria

“Xhisiela”, Rexhep Rraja del me kërkesë para nisjes së hetimit. Dosja përmban si provë…

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 08:27
Rexhep Rraja

Rexhep Rraja, i arrestuar për përndjekjen e ish-të dashurës së tij Xhisela Maloku, ka kërkuar në Gjykatë gjykim të shkurtuar.

Pas dy seancave të deritanishme, atë të masës së sigurisë në Shkallën e Parë, e cila e la në burg dhe tjetra në Apel në Tiranë, që la të njëjtën masë në fuqi, tashmë do të nisë gjykimi në Gjykatën e Krujës.

Sipas burimeve, 24-vjeçari, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, vazhdon të mos e pranojë akuzën. Në seancën paraprake, avokati i Rrajës rezervoi të drejtën që në fillim të gjykimit të çështjes, që në themel të parashtrojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke pranuar aktet e dosjes që disponon organi i akuzës, por jo akuzën e përndjekjes.

Ajo që bie në sy të dosjes përfundimtare është fakti se prokuroria ka çuar si provë dëshmitë e para të vajzës, pra, ato ku Xhisela Maloku ka denoncuar dhunën fizike dhe presionet që i janë bërë nga 24-vjeçari Rexhep Rraja, si për të vazhduar lidhjen e tyre dashurore, ashtu edhe për t’u tërhequr nga denoncimi.

Sipas burimeve, këto fakte Prokuroria i ka vërtetuar edhe me tabulatet telefonike si dhe me përgjimet ambientale, gjatë kohës që dy të rinjtë u thirrën për ballafaqim. Ndërkohë, të vetmin mohim Xhisela Maloku e ka për raportin që ka hartuar oficeri i Policisë Gjyqësore, Gentian Citozi, për të cilin ajo është shprehur në denoncimet e mëvonshme se ka servirur fakte që shkonin në favor të të akuzuarit, Rexhep Rraja.

Pikërisht për këtë arsye, oficeri Gentian Citozi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka filluar edhe ndjekja penale. Në fashikullin që Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës së Krujës, gjendet edhe një deklaratë noteriale e Xhisela Malokut dhe motrës së saj, të cilat kanë mohuar të kenë ndonjë konflikt me Rexhepin.

Ato kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt me të pandehurin dhe se marrëdhëniet e tyre janë normale. Në këto kushte, tashmë i mbetet Gjykatës së Rrethit Krujë të vlerësojë këtë çështje dhe të japë verdiktin e drejtësisë për dosjen “Xhisela”, që trazoi edhe politikën në vend për shkak të dyshimeve se mund të ishin implikuar edhe deputetë të maxhorancës për ta mbyllur këtë çështje.

Rexhep Rraja u arrestua me datë 30 shtator pas urdhrit të Gjykatës së Krujës, e cila kishte dhënë “Arrest me burg” për të riun e akuzuar për dhunimin e Xhisela Malokut. Ishte prokurorja Mirela Kabo, e cila i ka kërkuar gjyqtares Enkeleda Hoxha të nxjerrë urdhërarrestin për 24- vjeçarin.

Në momentin e arrestimit nga Policia, shtetasi Rexhep Rrahja ndodhej në afërsi të Aeroportit të Rinasit brenda një biznesi që merrej me dhënien e makinave me qira. Sipas burimeve, ai nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit nga forcat e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat