KE: Shqipëria arritje në të gjitha fushat, bashkëpunim në parlament mes qeverisë e opozitës

Shqipëria

KE: Shqipëria arritje në të gjitha fushat, bashkëpunim në parlament mes qeverisë e opozitës

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 09:05
Gent Cakaj

Komisioni Europian përshëndet arritjet në të gjitha fushat, duke përfshirë në reformën gjyqësore, si dhe thekson rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të saj. Kjo u theksua në takimin e nëntë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i cili u mbajt dje në Tiranë.

Takimi u bashkëkryesua nga Michela Matuella, Shefe e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe  Gent Cakaj, Zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Sipas njoftimit për shtyp, Komiteti i Stabilizim-Asociimit paraqiti një mundësi për të vlerësuar progresin e Shqipërisë në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, veçanërisht shtetin ligjor, administratën publike, tregtinë, zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe peshkimin, industrinë, tregun e brendshëm, shoqërinë e informacionit, politikën sociale, transportin, energjinë dhe mjedisin.

Gjithashtu, ai nënvizoi nevojën për rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke pranuar rezultatet e fundit, veçanërisht veprimet e Policisë së Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave. Garantimi që operacionet e fundit të rezultojnë me dënime përfundimtare është kyç.

Komisioni Europian përsëriti se dialogu konstruktiv politik dhe bashkëpunimi në Parlament midis qeverisë dhe opozitës është thelbësor për progresin dhe qëndrueshmërinë e reformave që lidhen me integrimin në BE.

Komisioni Europian dhe Shqipëria ranë dakord mbi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për të adresuar fenomenin e aplikimeve të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioni Europian njohu angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe i nxiti autoritetet që ta ruanin atë si një element thelbësor të integrimit evropian. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat