Konferenca mesdhetare e OSBE, Bushati:Energjia është kyçe në rritjen ekonomike

Shqipëria

Konferenca mesdhetare e OSBE, Bushati:Energjia është kyçe në rritjen ekonomike

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 15:04
Konferenca mesdhetare e OSBE

Konferenca mesdhetare e OSBE: Bushati në Spanjë: Siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Malaga, Spanjë, për të marrë pjesë në punimet e Konferencës Mesdhetare të OSBE-së 2018. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësuesit e 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe gjashtë partnerët Mesdhetarë të OSBE-së për Bashkëpunim: Algjeri, Egjipt, Izrael, Jordani, Marok dhe Tunizi si dhe disa organizata ndërkombëtare.

“Rëndësia e Energjisë për Rritjen Ekonomike dhe Bashkëpunimin në Mesdhe”, ishte tema e diskutimit të Segment Politik të Nivelit të Lartë.Ministri Bushati në fjalën e mbajtur vlerësoi zhvillimin e kësaj konference, e cila i shërben nxitjes dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë jo vetëm mes vendeve në brigjet e Mesdheut por edhe me të vendet pjesëmarrëse të OSBE-së. Bushati theksoi se OSBE dhe vendet mesdhetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket bashkëpunimit në nivel rajonal në adresimin e sfidave të përbashkëta.

“Energjia është një çështje kyçe në dinamikën euro-mesdhetare dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndëretnike, rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kur i shtohet sfidave të tjera specifike të rajonit tonë, si migracioni, terrorizmi dhe vonesa në zhvillimin ekonomik, mund të bëhet faktor kritik për sigurinë e pellgut të Mesdheut”, nënvizoi ai.

Shqipëria e konsideron sektorin e saj energjetik vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë ndaj dhe po punon për integrimin e tregut të energjisë elektrike në tregun evropian, dhe për krijimin e një burse shqiptare të energjisë elektrike. Në këtë kuadër, Ministri Bushati u ndal tek perspektiva sociale dhe politike për të cilën shprehu bindjen se “siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit dhe radikalizimit, veçanërisht ndërmjet të rinjve”.

Bushati përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të kontribuar për sigurinë dhe qeverisjen demokratike në fushën e OSBE-së në përgjithësi dhe rajonin tonë në veçanti, në fusha të tilla si ndërlidhja, harmonia ndër fetare dhe respektimi i të drejtave të pakicave, përfaqësimit të të rinjve dhe grave, si dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë punimeve të Konferencës Mesdhetare në Malaga, Spanjë, zhvilloi disa takime me homologë si dhe me Sekretarin e Përgjithshme të OSBE, Thomas Greminger. Ministri Bushati u takua me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajcak, vendi i të cilit ka presidencën e OSBE për 2019, me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Dacic, me zëvëndësministrin e Jashtëm të Italisë Guglielmo Picchi, vendi i të cilit ka kryesinë aktuale të OSBE-së. Zyrtarët diskutuan mbi sfidat aktuale me të cilët përballet OSBE dhe nevojën e adresimit të tyre.

Ministri Bushati dhe Sekretari Griminger diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe sfidat të cilat duhen adresuar me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të organizatës në përballjen e tyre.Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi vlerat e OSBE-se si organizatë rajonale me rëndësi specifike në botë, me një sistem të balancuar të angazhimeve politike, të bazuara në një koncept të sigurisë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, e cila ofron një platformë për tejkalimin e sfidave të sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat