VKM, Gjonaj: S’ka më para publike për të dënuarit si anëtarë të krimit të organizuar

Shqipëria

VKM, Gjonaj: S’ka më para publike për të dënuarit si anëtarë të krimit të organizuar

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 15:08
Etilda Gjonaj

Paraditen e së premtes Këshilli i Ministrave miratoi një paketë ndryshimesh ligjore që ndalon përfitimet e të mirave publike nga persona fizikë, apo juridikë, të dënuar për një sërë veprash të rënda penale, që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin dhe korrupsionin.

Vendimin e bëri publik ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila në një deklaratë për mediat nga ambientet e kryeministrisë u shpreh se falë kësaj pakete, me hyrjen në fuqi të këtyre masave do të ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh shoqërish tregtare apo aksionere dhe përfaqësuesit e tyre të përfitojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës.

“Lufta jonë frontale ndaj kriminalitetit shënon sot një zhvillim të ri. Nëse deri më sot, në bazë të ligjeve në fuqi, përjashtoheshin nga përfitimi i fondeve publike vetëm subjektet juridikë të dënuar më parë, me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët, apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare, të cilat janë, ose kanë qenë të dënuar nën cilësinë e tyre individuale”, u shpreh ajo.

Sipas Gjonajt këto ndryshme janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian dhe standardet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“I njëjti ndalim do të aplikohet edhe për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, përftimin për lehtësi në fushën e turizmit dhe përfitimin e ndihmës shtetërore. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të kujtuar edhe njëherë çdo individ me rekorde kriminale se nuk do të ketë asnjë shans të përfitojë asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguese shqiptarë”, shtoi Gjonaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat