"21 Janari" lë pezull ministrin e ri të Brendshëm

Shqipëria

"21 Janari" lë pezull ministrin e ri të Brendshëm

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 13:25
Sandër Lleshi

Mëngjesin e së shtunës, Kryeministri Edi Rama dorëzoi në Presidencë dy dekrete, i pari për shkarkimin e Fatmir Xhafajt dhe i dyti për emërimin në vend të tij të Gjeneralit Sandër Lleshi në postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Por nëse për shkarkimin e Xhafajt, firma e kreut të shtetit ishte e menjëhershme, nuk ndodhi e njëjta gjë për dekretin e emërimit në detyrë të Sandër Lleshit.

Burime për Vizion Plus, shprehen se siç parashikohet në ligj, Presidenca ka kërkuar informacion mbi figurën e Sandër Lleshit në të gjitha institucionet ligjzbatuese, përfshi dhe Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin Informativ të Ushtrisë.

Po përse këto dy institucione?

Të njëjtat burime saktësojnë se shkak kryesor për këto informacione të kërkuara nga këto dy shërbime sekrete është ngjarja e 21 janarit. Në atë kohë, Lleshi ka mbajtur postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe dyshohet se ai ka bërë planin për shpalljen e shtetrrethimit në vend, pas këtyre ngjarjeve.

Ajo që mbetet për t’u verifikuar është fakti nëse këtë plan Sandër Lleshi e ka bërë me urdhër apo me iniciativën e tij.

Deri në mbërritjen e përgjigjeve nga SHISH dhe SHIU, dekreti për emërimin e Lleshit në këtë detyrë do të mbesë në tryzën e Presidentit Ilir Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat