Vrasja e ekstremistit grek, tensionohet situata mes Shqipërisë dhe Greqisë, reagojnë dy shtetet

Shqipëria

Vrasja e ekstremistit grek, tensionohet situata mes Shqipërisë dhe Greqisë, reagojnë dy shtetet

Nga: Bota sot Më: 28 tetor 2018 Në ora: 19:55
Dhjetëra qytetarë grekë kanë shpalosur flamurin e vorio-epirit dhe kanë adresuar mesazhe kërcenuese ndaj shqiptarëve.

Mbrëmjen e së dielës, përpara Ambasadës Shqiptare në Athinë u organizua një protestë për vdekjen e Kostandinos Kaçifës, i cili u përlesh sot me policinë në Bularat të Gjirokastrës.

Në protestë kanë qenë edhe dy deputetë të Partisë Agimi i Artë, si dhe eksponentë të organizatave që përfaqësojnë minoritetin grek.

Ata kënduan himnin grek dhe hodhën parulla kundër Shqipërisë, ndërsa 35-vjeçarin e cilësuan hero që ra për atdheun e tij.

Po ashtu, Agimi i Artë protestoi edhe në Selanik para zyrave të Bashkimit Europian.

Vrasja e ekstremistit grek, reagon Athina: E papranueshme, Shqipëria të zbardhë ngjarjen

Ministria e jashtme greke ka reaguar me një deklaratë për shtyp rreth ngjarjes në Bularat, ku mbeti i vrarë Konstantinos Katsifas.

Sipas deklaratës, “autoritetet greke kanë ndjekur ngushtësisht në kontakt me autoritetet shqiptare dhe që nga momenti i parë, incidentin në fshatin Bularat të Shqipërisë, ku një shtetas grek sillet të ketë hapur zjarr me armë kallashnikov kundër një makine të policisë shqiptare, e cila tentoi arrestimin e tij”.

“Pak më parë u informuam zyrtarisht se gjatë një shkëmbimi zjarri me forca të policisë shqiptare, Konstantinos Katsifas mbeti i vdekur”, vazhdon deklarata për shtyp e MPJ greke.

“Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen e homogjenit grek dhe ngushëllimet tona familjes së tij”, thuhet më tej.

“Gjithësesi është i papranueshëm fakti që operacion i precipitoi me humbjen e një jete njerëzore”,vëren selia e diplomacisë greke.

“Presim nga autoritetet shqiptare zbardhjen e plotë të rrethanave në të cilat u humb jeta e këtij qytetari grek dhe do të bëjmë menjëherë veprimet e nevojshme”, përfdunon deklarata e ministrisë së jashtme greke.

Deklaratë e MPJ-së: Shprehim keqardhjen për politizimin nga ana e Greqisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Policia e Shtetit sqaron operacionin në Bularat: Hapi zjarr drejt nesh për 30 minuta, ja si u zhvilluan ngjarjet

Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit sot pasdite në Bularat të Gjirokastrës.

“Gjatë ditës së sotme  datë 28.10.2018, rreth orës 10.00, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull të  Rrethit Gjirokastër ka pasur të shtëna me armë zjarri. 

Punonjësit e Policisë të cilët ishin të planizuar me shërbim në fshatin Bularat kanë shkuar menjëherë në drejtim të vendit nga u dëgjuan të shtënat me armë.

Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë.

Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e policisë kanë kërkuar mbështetje me efektivë shtesë si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë.

Në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor.

Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e sitatës së pazakontë për forcat vendore.

Me mbërritjen në vendngjarje, kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit.

Nga kontrolli i ushtruar në banesë nuk është bërë e mundur gjetja e tij  dhe në këtë kohë ka nisur  krehja e zonës.

Forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.

Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.

Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.

Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje,  të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa.

Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamoflazh

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër si dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryejnë veprimet në vendngjarje”, nënvizon policia e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat