Zhbllokohet ngritja e KLP, Bujar Sheshi dorëzon kandidaturën në limitet e afatit, hapet rruga për SPAK dhe BKH

Shqipëria

Zhbllokohet ngritja e KLP, Bujar Sheshi dorëzon kandidaturën në limitet e afatit, hapet rruga për SPAK dhe BKH

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 08:02
Prokuroria shqiptare

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është çështje ditësh. Deri tani ky organ ishte futur në ngërç sepse mungonte një kandidat nga Prokuroria e Apelit të Tiranës, por tanimë është gjetur emri zëvendësues i tij. Procesi i vetingut shkarkoi prokurorin e vetëm nga radhët e Apelit të kryeqytetit që kishte shfaqur interes, Luan Kaloçin dhe në këto kushte nuk mund të vijonin procedurat për konstituimin e KLP. Për t’i dhënë një zgjidhje situatës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku hapi dy herë garën për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke iu bërë thirrje prokurorëve që të aplikojnë. Por teksa gara e parë dështoi sepse nuk pati asnjë kandidaturë, thirrja e dytë e Arta Markut rezultoi e suksesshme sepse u gjet kandidati që kërkohej. Bëhet fjalë për prokurorin e Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, i cili sipas burimeve të gazetës “SOT” nga organi i akuzës, ka shfaqur interes të jetë pjesë e KLP.

Në fakt, vihet re se prokurori Sheshi është nga Apeli i Krimeve të Rënda dhe jo nga Apeli i Tiranës. Por ky nuk është një problem sepse Krimet e Rënda janë si për Tiranën, ashtu edhe për të gjithë Shqipërinë, pra Bujar Sheshi mund të konsiderohet si kandidat i Apelit të Tiranës. Në këtë rast është aplikuar ajo që gazeta paralajmëroi pak kohë më parë për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Edhe ky organ ishte në ngërç para disa kohësh sepse mungonte kandidati nga Gjykata e Apelit të rretheve dhe u propozua që si zëvendësuese të përdorej Nertina Kosova, meqenëse ishte nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda. Por duke qenë se më pas shfaqën interes dy gjyqtarë për KLGJ, kjo rrugë nuk u aplikua. Ndërsa për ngritjen e KLP duket se aplikimi i saj ka qenë i nevojshëm sepse anëtarët e Prokurorisë së Apelit të Tiranës sërish kanë hezituar të kandidojnë. Për të mos shtyrë pafundësisht konstituimin e organeve të reja të drejtësisë, është vendosur pranimi i Bujar Sheshit.

Bujar Sheshi u rikonfirmua pak ditë më parë në detyrë. Kjo do të thotë se për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk ka më asnjë problem dhe asgjë të për të pritur për të mbajtur Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve sepse edhe kandidati i ri e ka kaluar sfidën e vetingut. Duke mos patur asnjë pengesë, pritet që brenda pak ditësh të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, për të zgjedhur edhe 6 anëtarët e mbetur për KLP. Kjo do të thotë se ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është çështje ditësh.

Hapet rruga e SPAK dhe BKH

Konstituimi i organeve të reja, KLGJ dhe KLP është vetëm çështje procedurash, çka do të thotë se pritet që brenda këtij viti këto institucione të jenë gati. Por ngritja e KLGJ dhe KLP hap rrugën e ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në ligj është parashikuar që këto dy të fundit ngrihen 2 muaj pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Me shumë gjasë, fillimi i vitit të ardhshëm do të sjellë edhe ngritjen e strukturave të posaçme kundër korrupsionit në nivele të larta, çka do të thotë se të korruptuarit i kanë orët e numëruara. Sipas burimeve të gazetës, ndërkombëtarët kanë patur rol shumë të madh për ngritjen sa më parë të organeve të reja të drejtësisë. Edhe për zgjidhjen e ngërçit të KLP, ndërkombëtarët iu kanë kërkuar disa herë prokurorëve që të shfaqin interes, ndërsa në deklaratat publike janë bërë shumë herë thirrje për konstituimin e SPAK dhe BKH. Pra, falë edhe ndërhyrjes së tyre, këto organe do të jenë gati shumë shpejt, duke sjellë erën e goditjeve të të korruptuarve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat