Vrasja e grekut, avokati i familjes: Pamë trupin, nuk është vrarë nga afër

Shqipëria

Vrasja e grekut, avokati i familjes: Pamë trupin, nuk është vrarë nga afër

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 08:27
Konstandin Kacifa

Avokati i familjes së ekstremistit grek të vrarë në Bularat, Konstandin Kacifas ka deklaruar se 35-vjeçari ka në trup vetëm dy plagë nga plumbat pranë zemrës dhe asnjë plagë vdekjeprurëse nga afër. Në një intervistë të publikuar nga media greke avokati Jovanopulos dhe mjeku ligjor Vujuklaqis kanë deklaruar se atyre u është lejuar nga autoritetet shqiptare që të shikojnë trupin e Kacifas.

“Na u lejua për rreth 5 minuta që të bënim një këqyrje të trupit. Unë isha thjesht prezent, kuptohet që ishte eksperti (mjeku). Çfarë pamë? Pamë dy plagë të tejpërtejme në zonë pranë zemrës, çka do të thotë që plumbat kanë dalë nga kurrizi dhe asnjë plagë tjetër që t’ia vlejë që të përmendet. Duke respektuar mendimin e ekspertëve nga ajo çfarë pamë dhe u bisedua aty nuk ka asnjë plagë vdekjeprurëse nga afër“, tha avokati i familjes. Në fund avokati është shprehur se nga ajo që panë ka gjasa që të tërhiqen nga kërkesa për një riekspertim të trupit të Kaçifas, pasi sipas tyre ndërhyrja e mjekëve shqiptarë që kanë bërë ekspertizën ka prishur provat e mundshme.

“Të dyja plagët që kanë në trup djaloshi janë qepur si në gjoks ashtu edhe në kurriz ndaj nga ajo që pamë nuk besoj se ka më vend për një ekspertizë të re. Me qepjen e plagëve janë larguar elementët mbetës si baruti apo çka tjetër mund të gjendej po kështu trupi është larë, ndaj edhe nuk kishte më kuptim qëndrimi ynë më tepër aty. Nga sa pamë ne me sy të lirë nuk kishte asnjë plagë në këmbë”, deklaroi avokati.

Deklarata e avokatit rrëzon akuzat e të afërmve të viktimës së Konstandin Kacifas është plagosur dhe më pas është vrarë nga afër nga RENEA gjatë aksionit pasditen e së dielës në Bularat të Gjirokastrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat